Një tërmet gjatë mëngjesit të sotëm ka goditur qytetin e Zagrebit të Kroacisë. Zagrebi me rrethinë u goditën nga të paktën dy tërmete me magnitudë prej 5.0 gradë të Rihterit në orët e para të mëngjesit.
Siç raportojnë mediat kroate, epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në veri të Zagrebit dhe pesë kilometra në juglindje të Oroslavjes, në një thellësi prej 10 kilometrash, njoftoi Qendra Sizmologjike Evropiane Mesdhetare, përcjell Telegrafi.

Në 7.01 të mëngjesit, një tërmet i ri u ndje në Zagreb. Dëmet e objekteve u raportuan në qendër të qytetit ku nuk kishte energji elektrike dhe ujë.
“Deri më tani, nuk ka raporte për viktima, dhe është ngritur Mbrojtja Civile e qytetit të Zagrebit”, tha udhëheqësi i Zyrës së Menaxhimit të Emergjencave në Zagreb, Pavle Kaliniç.

Për shkak të mundësisë së tërmeteve të vogla, të ashtuquajturat dridhje, njerëzve u kërkohet të qëndrojnë jashtë dhe të mos banojnë në ndërtesa të dëmtuara, shkruan Qendra Evropiane e Sizmologjisë Mesdhetare në Twitter.
Qeveria Kroate nëpërmjet një postimi në Twitter u bëri thirrje qytetarëve që të “qëndrojnë të qetë” dhe “të mbajnë distancat sociale”.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të qytetit të Zagrebit të cilët dolën pas tërmetit, MBAJENI DISTANCEN! Ne e dimë se jeni të shqetësuar, por mbani në mend situatën në të cilën gjendemi të gjithë. Ndiqni udhëzimet e shërbimeve të qytetit dhe institucioneve përkatëse, por para së gjithash, edhe një herë, MBAJENI DISTANCEN TUAJ!”, thuhet në apelin e Qeverisë së Kroacisë.
Sipas mediave dhe fotove në internet tërmeti ka rrënuar një pjesë të njërës prej dy kullave të Katedrales së Zgrebit.