Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka shtrirë ndikimin e tij edhe në vendet e Ballkanit Perëndimorë. Së fundi në Kosovë për këtë shkak u shënua ngritje e çmimeve, duke filluar nga produktet bazike ushqimore e deri te ngritja e çmimit të derivateve të naftës.
Në mënyrë që qytetarët ta kalojnë më lehtë këtë periudhë të krizës, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të pensioneve nga Fondi i Pensional (Trusti).
Në lidhje me këtë, Telegrafi ka pyetur qytetarët se a janë pro ose kundër tërheqjes së këtyre mjeteve Trusti.
Qytetarja Xhevrie Veliu, mendon që një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, sepse sipas saj, kjo tërheqje mund edhe të mos rimbursohet nga Qeveria e Kosovës.
“Sipas mendimit tim jo nuk duhet të ndodhë. Sepse ajo nuk mundet të rimbursohet dhe nuk jam shumë optimiste që është zgjidhje e mirë. Unë i kam mbi 10 mijë euro në Trust. Unë e kam bërë tërheqjen e parë prej 10 përqind, por këtë nuk kisha thanë me e marrë”, u shpreh Veliu.
Ndërkaq Veli Veliu, një qytetar tjetër, thotë që Qeveria duhet të mendojë ndonjë zgjidhje tjetër për t’i ndihmuar qytetarëve. Sipas tij, kjo zgjidhje duhet të jetë me rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Nuk është mirë të bëhet kjo tërheqje, sepse Qeveria është më mirë të gjejë një rrugëdalje tjetër për t’i ndihmuar popullit në një mënyrë tjetër. Kategorive që jetojnë me ndihma sociale duhet t’iu dalë në ndihmë Qeveria, po ashtu të rriten pagat edhe pensionet me ndonjë pako ndihmëse”, tha ai.
Për qytetarin Ali Hoxha, tërheqja e një 30 përqindëshi është shumë e madhe, sipas tij gjysma e kësaj përqindje do të ishte në rregull.
Tutje, ai shtoi se herën e parë e ka bërë tërheqjen e 10 përqindëshit dhe se i kanë ndihmuar shumë paratë e tërhequra në atë kohë.
“Mendoj që 30 për qind është shumë mirëpo gjysmën e saj është mirë të futen mjetet në qarkullim, kështu që të ndihmohen qytetarët nga ngritja e çmimeve. Unë i kam mbi 20 mijë para në Trust. Tërheqjen e parë prej 10 për qind e kam bërë edhe jam mbuluar shumë mirë me të dhe me siguri do ta bëjë edhe tash në aprovohet një gjë e tillë”, pohoi qytetari Hoxha.
Kurse Fehmi Rushiti thotë se nëse aprovohet ndonjë tërheqje nga ana e Trustit, ai do t’i marrë. “Pse mos të tërhiqen paratë nga Trusti, ato janë paratë e tona. Pse jo? Qe tash këtu po e shikoj sa para i kam. I paskam 12 mijë e 430 euro. Nëse miratohet tërheqja do t’i tërheqë menjëherë”, Fehmi Rushti.
Në anën tjetër, Sabit Xhaferi vlerëson se këtë çështje duhet ta rregullojnë organet e shtetit.
“Çështja e Trustit është çështje që organet e shtetit dinë më mirë dhe që për të ata do të marrin veprime kompetente. Më mirë e dinë Qeveria nuk duhet t’i bëjmë presion njëri-tjetrit secili ta kryen punën e vet si duhet dhe ta ndihmojmë njëri tjetrin”, vlerësoi Xhaferi.
Hatixhe Beka, thotë se nuk duhet të tërhiqen ato para sepse sipas saj të njëjtat duhet të ruhen për shfrytëzim në pleqëri.
“Jo unë nuk kisha thënë që është mirë të tërhiqen paratë prej Trustit. Sepse përpara ka qenë ndryshe për shembull unë edhe që kam punuar nuk kam pas Trust. Unë kisha thanë që ato para të mbesin aty dhe të shfrytëzohen për pleqëri. Ka zgjedhje të tjera që munden për shembull me i rritë pensionet dhe rrogat”, tha Beka.
E si pension paratë në Trust i sheh edhe Rexhep Gërgur. Ai thotë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse shteti e rimburson atë sepse në këtë mënyrë po i shkurtohet pensioni punëtorit.
“Jo nuk është mirë të tërhiqen paratë nga Trusti. Unë e llogariti atë si pension. Duhet të ndodhë vetëm nëse e rimburson Qeveria, nëse nuk e rimburson nuk është mirë kjo të ndodhë. Nuk është mirë sepse ia shkurton pensionin punëtorit bie fjala”, deklaroi Gërguri.
Sipas qytetarit Sylejman Berisha, kjo është një zgjidhje afatshkurtër dhe e momentit, duke vlerësuar se duhet të mendohet në mënyrë profesionale dhe të gjendet një zgjidhje afatgjate.
“Ka mendime nga më të ndryshmet zgjidhja afatshkurtër është me iu gjind masës për momentin. Kurse në aspektin afatgjatë mendimet profesionale janë që nuk duhet. Unë mendoj që nuk duhet sepse duhet të mendohet më gjatë”, u deklarua Berisha.
Ndryshe, një tërheqje nga Trusti 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
Aktualisht, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar edhe një tërheqje të dytë, kësaj radhe deri në 30 për qind të pensioneve nga Fondi i Pensional (Trusti). /Telegrafi/