Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot e ka dërguar për mendim projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, përkatësisht peticionin e organizuar për tërheqjen e 30% të mjeteve nga TRUST-i, shkruan Insajderi.
Përveç kësaj është dërguar për mendim në qeveri edhe projektligji për Pensionet e Zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektorati Policor me autorizime policore.
Njoftimi i plotë nga Kryesia:
Kryesia e Kuvendit mbajti mbledhjen e radhës
Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës.
Kryesia procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116”.
Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga TRUST-i nuk pati kaluar në Kuvendin e Kosovës, pas inicimit nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në muajin korrik, organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit dorëzuan në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkonin t’i bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.