Temperatura përvëluese deri në 37 gradë Celsius

IHK njofton se temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33- 37 gradë Celsius.

Në shumë vende urbane prezenca e këtyre masave të ajrit do të krijojë mundësi që temperaturat të arrijnë deri 40 gradë Celsius

Shkalla e lartë e avullimeve do të krijojë vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë se sa vlerat e lartshënuara.

IHK bën thirrje për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve.

Reklama

Meqë indeksi UV do të jetë shumë i lartë rekomandohet që të kufizohemi sa më shumë nga  rrezet e diellit, të bartim syze mbrojtëse nga rrezet e diellit, ombrellë, rroba me ngjyra të lehta, kremra adekuate për mbrojtjen e lëkurës, të pimë ujë sa më shpesh.

Gjatë kësaj periudhe kohore të parashikimit do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit.

Ndryshe, edhe Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes nga temperaturat e larta.

MSH thotë se, duke u ekspozuar në diell mund të pësojmë goditje nga vapa që shkakton dehidrim të organizmit i cili manifestohet me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insuficiencë renale (dëmtim i veshkave).