Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli ka njoftuar se së bashku me kryeshefen ekzekutive të Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, kanë parë nga afër zëvendësimin e një nga BTS-të në qendër të qytetit të Prishtinës, pikërisht mbi ndërtesën ku është e vendosur Ministria e Ekonomisë.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se zëvendësimi i teknologjisë është pjesë e modernizimit të rrjetit mobil në të gjithë Kosovën dhe brenda pak ditësh, në Prishtinë do të përfundojë zëvendësimi i të gjitha pajisjeve me pajisje të reja të teknologjisë së fundit 5G, ndërsa deri në fund të vitit do të përfundojë modernizimi i rrjetit në tërë Kosovën.
“Kryeshefja më rekomandoi të blija një pako më të madhe nga Vala, për shkak të mundësive të reja që ofron teknologjia 5G. Së bashku vizituam pikën e Valës në Sheshin “Zahir Pajaziti”, e cila tash paguan qira shumë më të ulët se para 3 vitesh. Aty u prita ngrohtësisht nga punëtorët në një ambient pune modern e të këndshëm”, ka pohuar ajo.
Ministrja Rizvanolli ka falënderuar kryeshefen dhe punonjësit për angazhimin e tyre, pasi Telekomi nuk do të ringjallej pa përkushtimin e secilit e secilës prej tyre.
Po ashtu ajo i ka ftuar qytetarët ta ndjekin Telekomin e Kosovës për informacione e udhëzime teknike, për t’u siguruar që kenë qasje në shërbimet e fundit të teknologjisë 5G.