Telekomi i Kosovës ka njoftuar se Arbitrazhi ka marrë vendimin pas padisë së Paykos kundër tyre.
Sipas njoftimit thuhet se vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro, shkruan teve1.info
Gjithashtu, Telekomi tha se inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës.
Njoftimi i plotë i Telekomit:
Telekomi i Kosovës Sh.A, në cilësinë e ndërmarrjes publike, njofton aksionarin dhe publikun se me datë 27 dhjetor 2023 është lëshuar vendimi përfundimtar i arbitrazhit me nr. 300595-2022 pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Vendimi i Arbitrazhit”). Vendimi i Arbitrazhit përfshin Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur dhe lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015.
Vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me Paykos dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës. Vendimi i Arbitrazhit gjithashtu paraqet një sukses me rëndësi të Telekomit të Kosovës në drejtim të zbatimit të ligjshëm dhe të drejtë të të gjitha raporteve kontraktuale, në përputhje me ligjet e aplikueshme, praktikat normale të industrisë dhe të biznesit. Po të pranonte Telekomi imponimet e palës tjetër për të shmangur procedurën e Arbitrazhit, atëherë deri në fund të kontratës do të detyrohej të paguante rreth 4 milionë € më tepër!
Si përfundim, Vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro. Megjithatë, janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces.
E para, inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës e ka trajtuar me mirëbesim Paykos LLC dhe në të gjitha fazat ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet normale të biznesit. Përkundër kësaj, ka qenë Paykos pala e cila ka insistuar në zhvillimin e arbitrazhit dhe ka iniciuar një proces të dytë.
Së dyti, përkundër suksesit në procedurë të arbitrazhit, Telekomi i Kosovës njofton të gjithë publikun, kontraktorët dhe palët e ndryshme të interesit që nuk ka e as nuk do të ketë asnjë tendencë dëmtimi të asnjë pale, por jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie biznesi të drejta dhe korrekte me të gjithë kontraktorët dhe partnerët pa dallim.
Telekomi i Kosovës është kompani publike pronë e Republikës së Kosovës dhe ne jemi të lumtur që edhe biznese ose qytetarë të ndryshëm gjenerojnë të hyra në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë përmes biznesit me Telekomin e Kosovës, ashtu siç Telekomi i Kosovës gjeneron të hyra nga bizneset dhe qytetarët e Republikës. Mirëpo, jemi të vendosur që askënd të mos e lejojmë që të dëmtojë Telekomin e Kosovës, përmes kontratave të dëmshme, interpretimeve të njëanshme në dëm të Telekomit ose formave tjera jo të ligjshme dhe jashtë normave standarde të të bërit biznes. Këtë e sigurojmë duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore në mënyrë strikte, të drejtë dhe profesionale pa dallim, ndaj kujtdo qoftë që ka synime që të dëmtojë pronën publike.