Telekom Serbia” njoftoi se ka pranuar vendimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) të Qeverisë së Kosovës, se kompanisë MTS d.o.o. i është hequr licenca e biznesit për shkak se “një anëtar i menaxhmentit të kompanisë ka pasaportë të lëshuar nga Republika e Serbisë”.
Megjithatë, më 1 gusht, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës publikoi një listë me dhjetëra kompani, me adresa të kontestuara në dokumentet e regjistrimit, të cilave tha se do t’u hiqet leja e punës.
Në mesin e këtyre kompanive është edhe MTS d.o.o. – kompania simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë, “Telekom Serbia”, që është themeluar më 2015 në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, që Kosova dhe Serbia arritën në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Në dokumentet që ka siguruar REL nga ministria kompetente, MTS d.o.o. është regjistruar në Mitrovicë të Veriut si operues në sistemin serb, gjegjësisht në adresë “Mitrovica e Kosovës, Republika e Serbisë”.
Selia e kësaj kompanie është në Mitrovicë të Veriut, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Kjo kompani ka degë edhe në vendbanime të tjera serbe në Kosovë: Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shërpcë dhe Ranillug.
Në anën tjetër, “Telekom Serbia” theksoi se vendimin për heqjen e licencës së biznesit nuk mund të zbatohet sepse është “faktikisht dhe juridikisht është i pabazuar dhe në kundërshtim me parimet, standardet evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Nga kjo kompani shtojnë se do ta apelojnë këtë vendim.
“‘Telekom Serbia’ do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe Metohi që përdorin shërbimet e kompanisë dhe të më shumë se 250 punonjësve”, u tha në njoftim.