Konyaspor është bërë një skuadër që po mbahet nga futbollistët shqiptarë. Plot katër futbollistë shqiptarë bartin fanellën e klubit të madh turk për edicionin 2021/22.
Dy reprezentuesit e Shqipërisë, Sokol Cikalleshi dhe Endri Çekiçi janë pjesë e kësaj skuadre së bashku me reprezentuesin e Kosovës, Zymer Bytyqin si dhe shqiptarin nga Maqedonia e Veriut, Erdon Daci.
Treshja Cikalleshi, Bytyqi e Çekiçi janë lojtarë të formacionit bazë dhe kryesorët te Konya.
Edhe ditën e djeshme këta tre futbollistë ishin vendimtar në fitoren që Konyaspor e arriti 2-1 ndaj Istanbul Basaksehir, ku Cikalleshi e Çekiçi shënuan, derisa Bytyqi asistoi.
Në shenjë falënderimi për kontributin e madh që po japin lojtarët shqiptarë për fanellën e tyre, Konya ka shkruar shqip në faqen zyrtare në Instagram.
“Natën e mirë familja Konyaspor”, ka shkruar faqja zyrtare e klubit turk duke bashkangjitur foton e dyshes shqiptare.
Konyaspor pas dy xhirove të para në Superligën turke, ka arritur dy fitore dhe ndodhet në krye të kampionatit. /Telegrafi/