Të shtënat me armë zjarri afër një shkolle në Klinë, arrestohet i mituri

Një i mitur është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri sot në afërsi të një shkolle në rrugën “Fehmi Agani”, në Klinë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.

Sipas tij, i dyshuari për këtë vepër është i mitur dhe me prindin e tij është paraqitur në stacionin policor.

“Rasti është raportuar në Departamentin e Krimeve dhe është cilësuar si ‘vrasje në tentativë’… Aktualisht vendi i ngjarjes është i rrethuar nga policia dhe janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme me urdhër të prokurorit…Personi i dyshuar është i mitur dhe i njëjti me prindin e tij është paraqitur në stacionin policor”, ka thënë Nikçi.

Po ashtu ai tha se Prokurori do ta ndalojë për 24 orë dhe do të merren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka konfirmuar rastin.

“Rreth orës 09:40 policia është njoftuar që në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Klinë në afërsi të një shkolle ka pasur të shtëna me armë zjarri. Personi i dyshuar pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, është identifikuar dhe është arrestuar”, ka thënë Gashi.