Te Shqipëria të motivuar për ndeshjen ndaj Anglisë

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka zhvilluar gjashtë ndeshje kundër Anglisë. Të gjitha gjashtë ndeshjet i ka humbur, ndërsa ka shënuar vetëm një gol përballë anglezëve. Por, te Shqipëria janë të motivuar për t’i bërë ballë Anglisë, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2026.

Ndeshja Angli – Shqipëri luhet të premten, nga ora 20:45, në stadiumin ikonik të Anglisë “Wembley”.

Për ndeshjen ndaj Anglisë dhe kundër Andorrës më 24 mars, Shqipëria ka nisur të hënën përgatitjet. 
Në Grupin K me Shqipërinë dhe Anglinë janë edhe Andorra dhe Serbia.

Sulmuesi i Dinamo Zagrebit, Arbër Hoxha, e cilësoi Anglinë si kundërshtare të vështirë. Por ai shpreson të kthehen nga Anglia me rezultat pozitiv. 

“Ndeshja e parë me Anglinë është e vështirë, duke marrë parasysh që Anglia ka lojtarë të klasit botëror. Ne do të shkojmë për të dhënë maksimumin, i dimë cilësitë dhe kualitetet tona. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Unë do të bëj më të mirën, sa minuta të kem në dispozicion”, ka thënë Hoxha në konferencën për media të hënën.

Ai ka treguar edhe emocionet që ka përjetuar gjatë një viti me Shqipërinë.

“Besoj që ka qenë një vit shumë i mirë, sepse arritëm kualifikimin në Evropian. Do të bëjmë më të mirën gjithmonë dhe shpresoj që të kualifikohemi në Botëror”, është shprehur Hoxha. 

Ai ka folur rreth formës që po kalon te klubi kroat, ndërsa ka theksuar se te Shqipëria konkurrenca për vend në përbërjen e parë është e madhe.

“Në Kombëtare konkurrenca gjithmonë të bën më të fortë. Japim maksimumin për të marrë sa më shumë minuta”, thotë Hoxha.

Ai është gati të paraqitet në ndeshjen ndaj Anglisë. Ka shtuar se rezultati pozitiv ndaj anglezëve nuk është i pamundur.

“Po, normalisht që besojmë, kjo nuk diskutohet fare. Unë besoj se grupi ka kualitet për të arritur një rezultat pozitiv”, ka thënë Hoxha.

Përkrah Hoxhës në konferencë u paraqit edhe Juljan Shehu. Mesfushori Shehu tregoi fillimisht për emocionet që përjetoi kur pranoi ftesë nga përzgjedhësi Sylvinho. 

Ka theksuar se te Shqipëria synon të bëhet prej më të mirëve.

“Është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë krenar që jam përzgjedhur të përfaqësoj Kombëtaren. Është një nga ndjesitë më të bukura në botë. Shpresoj që ta përfaqësoj denjësisht dhe të jap maksimumin tim për ekipin si edhe për të rritur konkurrencën sepse i bën mirë ekipit. Nuk kam ardhur për të qenë kalimtar. Shpresoj që rrugëtimi im të jetë sa më i gjatë në kombëtare. Kam ardhur me besimin për të bërë më të mirën”, ka thënë futbollisti i klubit polak, Widzew Lodz.

Ai pret të paraqitet me Shqipërinë në ndonjë ngjarje të madhe, Botëror apo Evropian. Shqipëria ka marrë pjesë dy herë në Evropian. Së fundi në “Gjermania 2024”.