Në prag të zgjedhjeve parlamentare, asgjë nuk mund të quhet befasi.
Analistë, mjekë, sportistë, artistë, dhe madje edhe gazetarë, duket se kanë ambicie për një vend në Kuvendin e Kosovës, transmeton Telegrafi.
Pas dorëzimit të listave të partive politike, u bë e ditur se emra të njohur po garojnë për të siguruar një ulëse në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje, që është në pushtet prej katër vitesh, publikoi listën e saj, me kryesues Albin Kurtin, dhe pas tij, Glauk Konjufcën, kryetar të Kuvendit.
Në top dhjetëshen e LVV-së janë emra të njohur si Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari Lila, Faton Peci dhe Shqipe Mehmeti Selimi.
Po ashtu, lista ka edhe disa emra të rinj në politikë, si këngëtarja Edona Llaloshi, e cila mban numrin 19, dhe Zef Ndrejaj, ish-drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Në garë është edhe analisti politik Gazmir Raci, dhe trajneri i njohur i futbollit, Bylbyl Sokoli, i cili ka vendosur të braktisë sportin dhe të angazhohet në politikë.
Në mesin e kandidatëve është edhe profesori Nezir Kraki.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se tashmë është mbyllur afati për aplikimin e subjekteve politike për certifikim.
Ky afat ishte hapur në fillim të muajit shtator dhe u mbyll më 11 dhjetor.
“Subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim në zgjedhje, nga data 01.09.2024,deri në përfundim të afatit, 11.12.2024, ora 23:59. 28 subjekte politike: prej tyre 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”, ka njoftuar KQZ.
Parti Politike:
• Lëvizja VETËVENDOSJE!
• PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS
• LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS
• SRPSKA LISTA
• SRPSKI NARODNI POKRET
• FJALA
• PARTIA LIBRERALE EGJIPTIANE
• NOVA DEMOKRATSKA STRANKA
• INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS
• SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA
• KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ
• Yenilikçi Türk Hareket Partisi
• Jednstvena Goranka Partija (JGP);
• Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI);
• Srpska Demokratija;
• PARTIJA KOSOVSKIH SRBA;
• ZA SLOBODU PRAVDU I POSTANAK
• PARTIA BALLI KOMBETAR DEMOKRAT SHQIPETAR;
• PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;
• Kosova Adalet Türk Partisi.
Koalicione:
• Naša Bošnjačka Koalicija (Naša Inicijativa i Bošnjačka stranka);
• AAK – Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës, Nisma – Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore, Forumi intelektual – E- 30;
• Koalicioni për Familje;
• PDAK-LPB;
• Koalicija Vakat
Nisma Qytetare:
• Narodna Pravda;
• Opre Roma Kosova;
Kandidat i pavarur:
• Fatmir Bytyqi.