Në muajin tetor – kur Kosova do ta luajë ndeshjen më të rëndësishme të saj pas pranimit në UEFA dhe FIFA, atë kundër Maqedonisë së Veriut – bëhet një vit prejse përfaqësuesja e fitoi ndeshjen e saj të fundit.
Ishte fitorja 2:0 ndaj Malit të Zi në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, më 14 tetor, falë së cilës Kosova mbeti në garë edhe për një muaj për kualifikim direkt në Evropian, shkruan KOHA.
Pas humbjeve në tri ndeshje rresht, pritjet ishin të mëdha se në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, Kosova do të kishte sukses.
Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në dy ndeshjet e para. Ndaj Moldavisë, ku vlerësohej favorite, Kosova barazoi 1:1 në Parma të Italisë, derisa ndaj Greqisë të dielën mbrëma në stadiumin e qytetit në Prishtinë, Kosova humbi me shifrat, 2:1. Humbja ndaj Greqisë, barazimi ndaj Moldavisë dhe humbjet në përfundim të ciklit të rregullt kualifikues për “Euro 2020”, që për shkak të pandemisë është shtyrë për vitin e ardhshëm, bindën përzgjedhësin Bernard Challandes të pranojë se Kosova po kalon një moment të keq.
“Nuk jam i marrë, e kam parashikuar si ndeshje të vështirë dhe nuk jam i befasuar e po ashtu nuk është turp disfata nga Greqia. Ne po kalojmë në një moment të keq, situatë të vështirë dhe gjithë këto probleme. Të humbësh kundër një Greqie nuk është turp. Ne jemi Kosova, ne shkojmë dhe kërkojmë fitoren. Kemi bërë progres, por duhet ta kemi të qartë se ne jemi Kosova dhe do të ngelemi Kosova, kurse Greqia është Greqi, një ekip mjaft cilësor. Nuk ishte e mundshme të marrim një fitore edhe ndaj Moldavisë, e cila ka humbur vetëm 2:1 nga Franca apo Islanda”, ka thënë Challandes të dielën mbrëma në konferencën për media të mbajtur pas humbjes nga Greqia.
Në fakt atmosfera është e zbehtë edhe brenda ekipit. Ka pakënaqësi të mëdha nga lojtarët që herë pas here i kanë shfaqur edhe publikisht. E tillë ishte edhe “shfaqja” e Bernard Berishës, shënuesit të golit të vetëm për Kosovën kundër grekëve. Ai me të shënuar gol u kthye kah përzgjedhësi Challandes duke shprehur pakënaqësinë e tij që nuk ishte angazhuar më herët. Por, një gjë e tillë u mohua nga vetë Berisha.