225 qytetarë të ardhur ditët e fundit nga shtete të tjera po vazhdojnë të qëndrojnë në karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Mungesa e barnave dhe kontrolleve të duhura mjekësore janë disa prej shqetësimeve të ngritura nga qytetarët e vendosur këtu, raporton KOHA.
Avdullah Bajra, i cili së bashku me gruan e tij gjendet në karantinë që nga data 20 mars, thotë se ka disa ditë që po kërkon ndihmën e mjekëve pasi vuan nga diabeti, derisa thotë se atij nuk i janë sjellë as barnat për trajtimin sëmundjes së tij.
Të njëjtin shqetësim e ka Lorik Mehmeti. Ai thotë se gjendet në një dhomë me gjyshen e tij 72-vjeçare, e cila vuan nga tensioni, por që askush prej ekipit mjekësor nuk e ka kontrolluar atë.
Mehmeti thotë të jetë i shqetësuar me frekuentimin e madh të qytetarëve brenda qendrës ku gjendet ai.
Por drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka thënë se ekipet mjekësore deri më tani kanë vizituar të gjithë qytetarët që janë vendosur në këtë karantinë.
Nga këtu deri më tani 6 qytetarë janë udhëzuar për testim në IKSHP me dyshimet për Covid 19.
Megjithatë, Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë të izoluar në dhomat e tyre duke evituar qëndrimet në grupe brenda kësaj qendre.
Që nga java e kaluar Qeveria ka marrë vendim që të gjithë personat që tani e tutje hyjnë në Kosovë do të vendosen në karantinë për 14 ditë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.