Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 38-të, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë që u miratua nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, ishte vendimi për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike dhe strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumente strategjike të Reformës së Administratës Publike.
Qëllimi i këtij vendimi është: themelimi dhe përbërja e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratë Publike, i cili do të jetë struktura kryesore përgjegjëse për sigurimin e zbatimit të dokumenteve strategjike të Reformës së Administratës Publike, si dhe themelimi dhe funksionimi institucional i strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumentet strategjike të Reformës së Administratës Publike si dhe strukave përgjegjëse për zbatimin e tyre.
Këshilli i Ministrave për Reformën e Administratës Publike do të ketë këtë përbërje:
1. Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, kryesues;
2.Ministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, anëtar;
3.Ministri i Ministrisë për Integrim Evropian, anëtar.
4.Ministri i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, anëtar;
5.Ministri i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, anëtar;
6. Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, anëtar; dhe
7. Zyra e Kryeministri-këshilltar politik, anëtar.
Në mbledhjen e sotme, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në respektim të rekomandimeve të IKSHP-së dhe ministrive të linjës, janë shfuqizuar si dhe janë plotësuar dhe ndryshuar këto vendime:
1. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr.01/16 i datës 26 mars 2020;
2. Plotësohet dhe ndryshohet pika 1.1. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 si në vijim:
2.1. Rihapja e kopshteve dhe çerdheve nga mosha 0 deri në 5 vite në Institucionet publike dhe private të nivelit parashkollor nga 1 qershori;
2.2. Organizimi i ambientit dhe përgatitjeve për testin e arritshmërisë me klasat e nënta (kthimi i klasave të nënta në shkollë bëhet prej datës 8 qershor deri më 19 qershor me qëllim të mbajtjes së testit të arritshmërisë me 23 qershor 2020);
2.3. Organizimi i ambientimit dhe përgatitjeve për testin e maturës me nxënësit e klasave të dymbëdhjeta (kthimi i klasave të dymbëdhjeta në shkollë bëhet nga 15 qershor deri më 30 qershor dhe mbajtja e testit të maturës më 4 korrik 2020);
2.4. Lejimi i orëve praktike/laboratorike për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe organizimi i provimeve duke zbatuar në mënyrë strikte rekomandimet e IKSHPK-së.
3. Shfuqizohet pika IV. e Vendimit të Qeverisë Nr.02/35 të datës 27 mars 2020 me të cilin personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vet-izolohen për 14 ditë të ardhshme.
4. Shfuqizohet pika 4. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 i datës 13 mars 2020 me të cilin janë mbyllur kufijtë tokësor në Republikën e Kosovës.
5. Hapen kufijtë tokësor në pikat kufitare si në vijim: Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë.
6. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID19.
6.1. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultatin negativ për testin Covid-19 RT PCR (jo më i vjetër se 4 ditë) nuk i nënshtrohen procedurave të vet-izolimit;
6.2. Ata që nuk kanë testin sipas pikës 6.1. detyrohen të vetë-izolohen për 7 ditë;
6.3. Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare;
6.4. Deri me datën 20 qershor do të bëhet rivlerësim i situatës epidemiologjike dhe me këtë do reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.
7. Shfuqizohet pika 6. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 i datës 13 mars 2020 me të cilin janë mbyllur kafeteritë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare.
8. Shfuqizohet pika 9. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 i datës 13 mars 2020 me të cilin janë reduktuar veprimet esenciale dhe stafi esencial për çdo institucion publik.
9. Shfuqizohet pika 1.3. e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/17 i datës 27 mars 2020 lidhur me ushtrimin e veprimtarive të barnatoreve të licencuara të Republikës së Kosovës.
10. Të gjitha ministritë e linjës në bashkëpunim me palët e interesit obligohen t’i zbatojnë masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK-së, OBSH-së dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare.
11. Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi, me theks të veçantë të ketë kontrolle rigoroze nga organet e rendit dhe Inspektoratet respektive.
12. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.
Në arsyetimin e miratimit të këtyre vendimeve, është theksuar se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake, e konstatuar nga IKSHPK-ja dhe zyra e OBSH-së në Kosovë.
Gjithashtu, qeveria në këtë mbledhje ka miratuar Raportin vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2019. Ky raport, përveç informatave mbi zhvillimin dhe të arriturat e përgjithshme, matjes dhe fuqizimit të kornizës vlerësuese dhe monitoruese të performancës, mbulon edhe numrin e publikimeve, titujt e publikimeve dhe frekuencat e publikimeve në nivel të ASK-së, si dhe fushave sektoriale që janë realizuar gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin paraprak.