Të gjitha vendimet që i mori Qeveria në mbledhjen e sotme

Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti, ka mbajtur sot mbledhje elektronike me ç’rast ka marrë edhe vendime. 

Më poshtë, gjeni të gjitha vendimet që u morën sot për të cilat më herët.

Qeveria ka ndarë mjete financiare për pagesën e shtesës në pagë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, ATK-në, dhe AUV-në, për shkak të angazhimit të shtuar gjatë pandemisë COVID-19, si dhe plotësim ndryshimin e vendimeve të Qeverisë që kanë të bëjnë me mjetet nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.

Ministrisë së Shëndetësisë ju ndanë 10 milionë euro, për blerjen e materialeve, aparaturave mjekësore si dhe angazhimin e personelit shëndetësor dhe mbështetës, për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ju ndanë 8 milionë euro, për subvencionimin e tarifës për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë.

Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ju ndanë 500 mijë euro, për kryerjen e obligimeve financiare të kësaj ministrie.

Qeveria po ashtu ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990 të cilët kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor 1999, që  kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datën 2 korrik 1990 dhe me datën 7 shtator 1990 si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Sindikatës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000 € (dyzetmijë euro) për mbështetje financiare për punonjësit e saj.   

Është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 09/09 të datës 01.07.2020 për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.

Qeveria ka miratuar nismat për negociimin e Marrëveshjes së Kredisë midis Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për financimin e projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 për NVM-të”, si dhe për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian, për Projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë”.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 mars deri më datë 31 tetor 2021.