Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar:
-Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili eliminon diskriminimet dhe ofron trajtimin e barabartë për të gjithë përfituesit e skemave pensionale në vendin tonë.
Përmes tij do të adresohet çështja e pabarazisë disavjeçare të mosnjohjes të së drejtës pensionale në skemën e pensionit kontributpagues për një numër të madh të pensionistëve të cilët nuk përmbushin kriterin prej 15 vitesh kontribut në ish-sistemin pensional.
Për të eliminuar këtë diskriminim për të gjithë ata që janë larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta, Qeveria ka miratuar sot skemën e pensionit parcial kontributpagues.
-Kodin Doganor dhe i Akcizave i cili harmonizohet me legjislacionin evropian dhe përshtatet me zhvillimet e reja në fushën e tregtisë.
Ky projekt-kod paraqet kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore në territorin doganor të Republikës se Kosovës.