Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të rregullt në të cilën ka:
– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit “Protokoll për Trajnimin dhe Bashkëpunimin në Fushën e Shëndetit Ushtarak” ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë. Përmes këtij protokolli mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke. Me këtë marrëveshje kuota e trajtimeve mjekësore në dispozicion rritet nga 50 në 75 në vit. Të gjitha këto trajtime janë falas dhe bëhen në spitale ushtarake.
– Miratuar Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.
– Miratuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Ndërtimit si dhe për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.Projektligji synon organizimin më të mirë të trupave inspektuese, reformën dhe rritjen e efikasitetit në këto trupa, zbatimin me të mirë të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e përgjithshme të mjedisit, për një jetë më të mirë të qytetarëve.
– Nominuar përfaqësuesit e Qeverisë Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete, si në vijim:
o znj. Nurije Shala, këshilltare politike në kryeministri,
o z. Sllavisha Mladenoviq, komisioner për gjuhët, dhe
o z. Eros Gashi, këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë;
– Themeluar Komitetin Drejtues për mbikëqyrjen e zbatimit të projektit “Skema e Profesionistëve të Rinj” në kuadër të programeve IPA 2018 dhe IPA 2019.
– Ndarë 45,000.00 euro për Forumin Ekonomik të Vjenës me qëllim promovimin e Republikës së Kosovës dhe një perspektivë më premtuese për bashkëpunim ekonomik në arenën ndërkombëtare.
– Miratuar Katalogun e Vendeve të Punës për Shërbimin Civil, si kërkesë që rrjedh nga aktet normative për zyrtarë publikë. Ky katalog përmban mbi 1500 pozita si dhe klasat, grupet dhe fushat e kërkuara të arsimit për këto pozita të kategorisë profesionale. Ai lehtëson procesin e klasifikimit dhe grupimit të vendeve të punës për kategorinë profesionale në shërbimin civil.
– Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 03/30 të datës 12 maj 2020.
– Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor/e Ekzekutiv/e në Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
– Aprovuar Programin e përgatitur nga Zyra për Çështje të Komuniteteve. Ky program synim kyç e ka avancimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë, përmes granteve e subvencioneve, dhe një hap i Qeverisë sonë në drejtim të mbështetjes financiare për mediat, OJQ-të, studentët e kategoritë e ndjeshme, për integrim të plotë e zhvillim të barabartë.
– Miratuar koncept-dokumentin për Trajtimin e Mbeturinave.
– Miratuar vendimin përfundimtar të shpronësimit të pronave të prekura nga realizimi i projektit “Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial Masakra e Reçakut”.