Nën drejtimin e Kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të 34-të, në të cilën ka miratuar pesëmbëdhjetë projektligje, rregullore dhe vendime të tjera me rëndësi.
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti fillimisht shprehu ngushëllime të gjithë familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi COVID-19, dhe shfaqi mirënjohjen dhe falënderimin ndaj punëtorëve shëndetësorë dhe zyrtarëve policorë për angazhimin vetëmohues në përballjen me pandeminë.
“Me datë 8 gusht, nuk kishim asnjë të vdekur në Kosovë, mirëpo këto tri javët e fundit, janë javët më të rënda për popullin e Kosovës, e më të vështira për institucionet e shtetit tonë.
Ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin të gjithë punonjësve shëndetësorë, mjekëve dhe infermierëve për angazhimin vetëmohues për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga virusi, në kohën e variantit Delta, i cili është shpërndarë në mënyrë eksplozive, shumë më shpejt e më gjerë se sa versionet e mëhershme.
Falënderoj në veçanti të gjithë zyrtarët policorë, të cilët po kujdesen për zbatimin e masave dhe të cilët po punojnë me ndërrime nga 12 orë, prej se ne morëm një vendim të tillë.
Ju bëj thirrje të gjithë atyre, që nuk janë vaksinuar, të caktojnë terminë, sepse vaksina ka mjaftueshëm dhe çdo ditë po pranojmë doza të reja.
Deri më tani kemi administruar afër një milion vaksina. Kjo është java kur e mbërrijmë numrin një milion, prej të cilave dy të tretat janë me dozën e parë, ndërkaq një e treta janë edhe me dozën e dytë”, ka thënë Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij hyrëse.
Vendimi i parë që mori miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ishte ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ për vitin 2021. Me ndryshimet e miratuara sot ndryshohet afati i miratimit në Qeveri të këtyre projektligjeve:
1. Projektligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes, do të miratohet në Qeveri deri më 31.12.2021;
2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, do të miratohet në Qeveri deri më 15.12.2021;
3. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kimikate, do të miratohet në Qeveri deri me 30.11.2021;
4. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbeturina, do të miratohet në Qeveri deri më 30.11.2021;
5. Projektligji për Kadastër të Pronës së Paluajtshme, do të miratohet në Qeveri deri më 20.12.2021.
Ndërsa janë tërhequr nga Programi Legjislativ për vitin 2021 këto projektligje:
1. Projektligji për Banimin Social;
2. Projektligji për Administrimin e Ndërtesave të Banimit në Bashkëpronësi; dhe
- Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ujërat e Kosovës.
Me qëllim të harmonizim të dispozitave ligjore me Ligjin për Kundërvajtje, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë janë miratuar projektligjet:
1. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetin Riprodhues;
2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri;
3. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit;
4. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave;
5. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor;
6. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbimin Mjekësor Emergjent;
7. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi Publike;
8. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi;
9. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjak dhe Përbërës të Gjakut;
10. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse;
11. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale;
12. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërprerjen e Shtatzënësisë;
13. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor;
14. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës;
- Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Banorëve të Kosovës në Sistemin Shëndetësor.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për fushat e përgjegjësive administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive. Me ndryshimet e miratuara përcaktohet, në rastet kur fusha e përgjegjësisë administrative e dy (2) apo më shumë ministrive është bashkuar/fuzionuar në një ministri, ministri mund të emërojë deri në dhjetë (10) këshilltarë politikë dhe deri në pesë (5) këshilltarë të jashtëm politikë. Me rastin e fuzionimit të ministrive, në disa sosh fushëveprimi dhe përgjegjësitë e tyre janë zgjeruar dukshëm. Andaj, si rezultat është paraqitur nevoja për rritjen e kapaciteteve të kabineteve të këtyre ministrive me qëllim që të përmbushen në mënyrë sa më efikase obligimet dhe përgjegjësitë e ministrive të fuzionuara. Në këtë rast, sipas rregullores së miratuar sot, ministrat e pesë ministrive (Ministrisë së Punëve të Brendshme; Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve; Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës) mund të emërojnë deri në 10 këshilltarë politikë, nga 6 sa lejoheshin paraprakisht, dhe 5 këshilltarë të jashtëm (pa pagesë), nga 3 sosh paraprakisht.
Në vazhdim të mbledhjes është aprovuar edhe Rregullorja për trajtimin dhe kompensimin për ofrimin e shërbimeve të interesit të përgjithshëm ekonomik e cila përcakton kriteret dhe procedurat për dhënien dhe trajtimin e këtyre shërbimeve sipas Ligjit për Ndihmë Shtetërore. Në veçanti Rregullorja përcakton kriteret për ndihmën “de minimis” që mund të përfitojnë ndërmarrjet që ofrojnë shërbime me interes të përgjithshëm ekonomik. Rregullorja zbatohet vetëm për ndihmën që u jepet ndërmarrjeve publike ose private për ofrimin e një shërbimi me interes të përgjithshëm ekonomik, i cili ju është ngarkuar atyre si detyrim në bazë të akteve ligjore përkatëse.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin e propozuar nga Ministria e Mbrojtjes për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për ministrin e Mbrojtjes për nënshkrimin e marrëveshjes për statusin e forcave (SOFA) mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas shqyrtimit ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme edhe Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ky program ka si bazë Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ka për qëllim fuqizimin e konsumatorit për një rol aktiv në treg. Programi përcakton politikat për mbrojtje të konsumatorit në katër vitet e ardhshme dhe ka për qëllim garantimin e qarkullimit të lirë të produkteve të sigurta në treg.
Është miratuar edhe Koncept dokumentin për fushën e sigurisë së përgjithshme të produkteve. Koncept dokumenti rekomandon miratimin e Ligjit për rregullimin e fushës përkatëse i cili do të sigurojë nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve që përdorin produkte për kryerjen e veprimtarive të tyre profesionale. Ligji do të siguronte vendosjen në treg të produkteve ekskluzivisht të sigurta dhe do të parandalojë prodhimin, importin dhe vendosjen në treg të produkteve mashtruese, si dhe eksportin e tyre.
Më qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Pakon e Ringjalljes Ekonomike, masës për mbështetje të likuiditetit familjar, në mbledhjen e sotme janë ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 10 milionë eurove të cilat do të ndahen pas aprovimit të listës së përfituesve sipas kritereve dhe kushteve që përcaktohen me vendim të veçantë.
Propozuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e Samir Bllacakut Drejtor të Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror, i cili do të shërbejë në këtë pozitë për një mandat pesëvjeçar nga dita e emërimit.