E drejtuar nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e tetë e qeverisë, në të cilën janë miratuar vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e drejtorëve në Bordin Drejtues të Ndërmarrjes Publike Qendrore, Telekomi i Kosovës Sh. A., në këtë përbërje:
1. Shpetim Dobra, kryesues;
2. Sajmije Thaçi;
3. Mimoza Vila;
4. Florina Jerliu;
5. Agim Muqaj;
6. Remzi Kelmendi;
Bordi Drejtues i Drejtorëve të emëruar sipas këtij vendimi i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në pajtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike dhe shërbejnë me mandat tre vjeçar.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Plotësimi dhe ndryshimi eviton të metat dhe problemet e hasura në praktikë lidhur me zhvillimin e procedurës, përkatësisht lidhur me shqiptimin e suspendimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë është miratuar vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës në përbërje:
1. Albert Zogaj, kryetar i komisionit, pyetës në lëndën E drejta civile, zëvendës anëtare Drita Rexha;
2. Valbona Disha, anëtare e komisionit, pyetëse në lëndën E drejta penale (material procedural), zëvendës anëtar Afrim Shala;
3. Zenel Leku, anëtar i komisionit, pyetës në lëndën E drejta tregtare, zëvendës anëtare Edije Sezairi;
4. Halide Reka, anëtare e komisionit, pyetëse në lëndën E drejta kushtetuese, organizimi i sistemit gjyqësorë, bazat e sistemit të Bashkimit Evropian dhe të drejtat e njeriut, zëvendës anëtar Hajrip Krasniqi; dhe
5. Hajriz Hoti, anëtar i komisionit, pyetës në lëndën E drejta e punës dhe e drejta administrative, zëvendës anëtar Nenad Lazic.
Vendimi do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Qeveria ka themeluar Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes “për mobilitetin në punë” të nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Grupi Punues do të ketë këtë përbërje:
1. Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme –kryesues;
2. Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit – anëtar;
3. Përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; dhe
4. Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Grupi Punues është obliguar që brenda 30 ditëve të identifikojë, përpilojë, harmonizojë të gjitha aktet, anekset dhe kërkesat që dalin nga marrëveshja në fjalë me qëllim të zbatimit të plotë të marrëveshjes.
Në mbledhjen e sotme me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike për vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve për investime strategjike, në këtë përbërje:
1. Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kryesuese;
2. Hekuran Murati, Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;
3. Liburn Aliu, Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtar;
4. Faton Peci, Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;
5. Artane Rizvanolli, Ministre në Ministrinë e Ekonomisë, anëtare;
6. Elbert Krasniqi, Ministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;
7. Kryetari i Komunës në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar;
8. Ministri i Ministrisë në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar; dhe
9. Sami Istrefi, Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, anëtar.
Sipas fushës, nevojës dhe rrethanave, Komisioni mund të thërras në takime edhe ministrin, organe tjera shtetërore dhe përfaqësues të grupeve të interesit.
Qeveria ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin për masat e zbatimit të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021. Sipas plotësimit dhe ndryshimit shfuqizohen të gjitha pikat e këtij vendimi për të cilat nuk ka pasur ndarje dhe alokime të mjeteve buxhetore, me vendime të veçanta. Vendimi nuk prek zbatimin e masave për të cilat janë ndarë mjetet dhe ka filluar zbatimi i tyre.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se disa prej masave të përcaktuara nuk janë zbatuar dhe nuk janë ndarë mjete për zbatimin e masave përkatëse dhe rrjedhimisht përmes këtij vendimi shfuqizohen masat e pazbatuara.
Qeveria ka ndarë gjashtë milionë euro nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike me qëllim të subvencionimit të shoqërive tregtare për pagën e punëtorëve dhe të pagesës së qirasë. Kjo bëhet me qëllim të mbështetjes së kategorisë së bizneseve që kanë pësuar rënie të ndjeshme në të hyrat për shkak të vendosjes së kufizimeve për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Sipas vendimit, për subvencionim të pagës së punëtorëve mund të aplikojnë bizneset:
– Me aktivitet të vetëm të gastronomisë;
– Bizneset me nën-sektorë të gastronomisë, vetëm për stafin e angazhuar në gastronomi;
– Bizneset që ushtrojnë aktivitete në qendrat tregtare të tipit të mbyllur;
– Bizneset me aktivitete të fitnesit dhe palestrave; dhe
– Bizneset me linja aktive të licencuara të transportit ndër urban të udhëtarëve.
Për subvencionim të qirasë mund të aplikojnë:
– Bizneset me aktivitet të vetëm të gastronomisë;
– Bizneset që ushtrojnë aktivitet në qendrat tregtare të tipit të mbyllur.
Janë ndarë mjete shtesë financiare për pagesën e shtesave në sektorin e shëndetësisë dhe të sigurisë për muajt prill dhe maj 2021, në vlerë prej pesë milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesëmijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë euro (5,255,565.00). Mjetet ndahen për kompensimin e angazhimit të shtuar në punë në përballje me pandeminë COVID-19 të pjesëtarëve të sektorit shëndetësorë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Tetë milionë e pesëqind mijë euro ka ndarë Qeveria në mbledhjen e sotme për mbulimin e kostos së shtesave për skemat sociale dhe pensionale, për pagesën e shtesës 30% mbi shumën mujore për skemat e ndihmës sociale dhe për përfituesit e skemave pensionale që marrin më pak se 100 euro.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar metodën e pagesës direkte në formë të avansit tek UNOPS, për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë, për pagesa direkte të huamarrjes, në vlerën prej katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëmbëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e tre cent (4,169,016.63). Kjo është pjesa e dytë në bazë të kredisë së ratifikuar për Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e projektit emergjent anti-COVID-19 për Kosovën.
Me vendimin e aprovuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme është kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënia e autorizimit për Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për nënshkrimin e marrëveshjes për financimin dhe zbatimin e projektit Heras+ Arsimi i Lartë, Hulumtim dhe Shkencë Aplikative me Agjencinë Austriake për Zhvillim – ADA.