Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij në kualifikimet e Ligës së Evropës për edicionin 2020/21.
Gjilani debutoi në Ligën e Evropës si nënkampion i Kosovës dhe u eliminua në raundin e parë eliminator. Pasi e kaloi me sukses ndeshjen parakualifikuese, në të cilën triumfoi në udhëtim ndaj Tre Pennes nga San Marino, Gjilani u ndal në raundin e parë kualifikues nga APOEL Nicosia.
Në ndeshjen e luajtur të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, Gjilani pësoi humbje 2:0 vetëm pas vazhdimeve. Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi pa gola, kurse sipas trajnerit Mezani, Gjilani pati një paraqitje dinjitoze.
Ai shtoi se në të dyja ndeshjet e kësaj gare evropiane, skuadra gjilanase tregoi lojë të mirë.
“Duke pasur parasysh se ekipi debutoi në garat evropiane, mendoj se patëm paraqitje të mirë në përgjithësi dhe mund të them se jam i kënaqur me atë se çfarë tregoi ekipi në këtë nivel garash”, është shprehur Mezani për KOHËN të premten. “Mendoj se ne si skuadër, duke pasur parasysh dëmtimet që i kishim kohët e fundit, por edhe të gjitha problemet që u krijuan gjatë kësaj kohe, duhet të krenohemi me atë që treguam në fushë”.
Mezani, gjithashtu, i bëri edhe një analizë ndeshjes me APOEL-in, që e vlerësoi si kundërshtar shumë të fortë dhe mbi të gjitha me përvojë në kupat evropiane. Sipas Mezanit, ishte aspekti fizik ai që bëri dallimin mes dy skuadrave në duelin e luajtur në Prishtinë.
APOEL-i në katër raste ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe në edicionin 2009/10 u pati eliminuar në çerekfinale. Po ashtu, katër herë ka marrë pjesë në fazën grupore të Ligës së Evropës, duke arritur në një rast deri në 1/8 e finales. Është edhe ekipi më i famshëm dhe më i suksesshëm në Qipro, me 28 tituj kampioni, 21 kupa dhe 13 superkupa të fituara.
“Mendoj që në ndeshjen e fundit ndaj APOEL-it, aspekti fizik e bëri diferencën. E them këtë, sepse u pa qartë që ekipi ynë në aspektin taktik lëvizi mjaft mirë në fushë, por kundërshtari ishte përpara me përgatitjet fizike pasi në Qipro tashmë ka filluar edhe kampionati. Po ashtu, duhet të kemi parasysh që në muajin dhjetor kjo skuadër ka fituar ndeshjen në grupe kundër Sevillas, ekip që triumfoi në Ligën e Evropës së fundi”, shtoi Mezani. “Pra, niveli i tyre ishte shumë më i lartë se i yni, por gjithsesi komplimente për futbollistët e ekipit tim që treguan karakter dhe dëshirë për ta fituar këtë ndeshje”.
Trajneri nga Shqipëria ka folur edhe për periudhën e vështirë gjatë kohës së përgatitjeve për debutim në Evropë, ku ekipi është detyruar të karantinohet në hotel dhe vazhdimisht t’u nënshtrohet testimeve për koronavirus.