Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës i lehtësuar nga Bashkimi Evropian pritet të rifillojë të enjten në Bruksel, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, burime jozyrtare në Prishtinë dhe Bruksel.
Pala kosovare ka shumë të ngjarë të përfaqësohet nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.
Ende nuk ka konfirmim kush do të jetë përfaqësuesi i Beogradit zyrtar.
Ky raund do të organizohet përpara se palët të udhëtojnë në Uashington për të marrë pjesë në një proces negociator të ndërmjetësuar nga i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Vazhdimi i dialogut në Bruksel, pason vizitën e përfaqësuesit të posaçëm BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.
Ai tha në Prishtinë javën e kaluar se ai i dinte datat e dialogut, por se ai do t’i bënte publike ato pas konsultimit me palët. Ai pas bisedimeve me zyrtarët e lartë shtetërorë tha se askush nuk mund t’i ofrojë të ardhme evropiane Kosovës, pos BE-së, andaj sipas tij, blloku evropian nuk mund të lihet anash nga procesi i bisedimeve.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me takimin e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, të thirrur nga i dërguari i SHBA-së, Richard Grenell, Lajçak tha se ka dëgjuar për atë iniciativë, “por që ata nuk ishin këshilluar për të dhe nuk komentoj iniciativat e të tjerëve”.
Ndërkohë, shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe këshilltari i tij kryesor, Bekim Çollaku, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë së zgjidhja e problemeve ekonomike, heqja e barrierave tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, si dhe investimet në infrastrukturën rajonale, do të jenë temat kryesore të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, të paralajmëruar për 27 qershor.
Lajçak të hënën po qëndron në Beograd ku është planifikuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kjo raund i bisedimeve në Bruksel do të shënojë rifillimin zyrtar të dialogut, i cili është pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të vendosjes së taksës prej 100 për qind të mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovinën nga ish qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Taksa u shfuqizua më pas, sikurse edhe masat e reciprocitetit që u vendosën nga qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurtit.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i dialogut në Bruksel është një veprim i pritshëm nga ana e BE-së, pasi sipas tij, iniciativa energjike amerikane “duket se i zuri në befasi evropianët”.
“Prandaj edhe kjo ftesë për këtë takim kaq të shpejtë është e pritshme pasi në të kundërtën BE-ja do të konsiderohej si një institucion tejet pasiv në raport me investimin e madh që është bërë që nga viti 2011 në dialog dhe kjo ftesë e ambasadorit Lajçak është e pritur mirëpo efektet e saj nuk do të jenë shumë të mëdha. Tani SHBA-ja e ka iniciativën dhe ajo do ta diktojë edhe mënyrën e zhvillimit të etapës së fundit të dialogut”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, të dyja iniciativat -evropiane dhe ajo amerikane – qojnë në të njëjtin drejtim, që është etapa e fundit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Muhaxhiri pret që në javët e ardhshme të ketë zhvillime edhe më të hovshme për dialogun Kosovë-Serbi.