Të enjten mblidhet koalicioni qeverisës

Të enjten rreth orës 15:00 do të mblidhet koalicioni qeverisës.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka konfirmoi për KOHËN se kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj do të jetë nesër në zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai tha se në takim do të jenë të pranishëm edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa e ai i Nismës, Fatmir Limaj.

Ai nuk ka treguar se për cilat tema do të mblidhet koalicioni për të diskutuar, ndonëse, Blaka u pyet edhe nëse çështja e postit të presidentit do të jetë temë që do të mbledh liderët shtetërorë.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës por nuk ka mundur.

Kohëve të fundit janë parë përçarje mes koalicionit qeverisës, duke nisur nga tema e dialogut e deri te rasti i fundit në Karaçevë. Megjithatë, nga LDK-ja e AAK-ja e kanë minimizuar dhe edhe e kanë mohuar një gjë të tillë.