Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt janë shpërndarë në burgje të ndryshme

Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, tre të dyshuarit – Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla – janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës, pas caktimit të masës së paraburgimit.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini se tre të paraburgosurit nuk po qëndrojnë në të njëjtin burg.

Ndonëse u raportua se të njëjtit janë lejuar të kenë komunikim mes vete, megjithatë Dibrani thotë se për shkaqe sigurie ata janë shpërndarë në burgje të ndryshme.

“Për shkaqe sigurie i kemi shpërndarë në burgje të ndryshme”, theksoi ai.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për tre të dyshuarit në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt.

Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.

Liridona Ademaj u vra në Bërrnicë të Prishtinës më 29 nëntor. Bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dyshohet se ka organizuar vrasjen e saj.

Në njoftimin e saj, gjykata ka dhënë detaje se si Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e Liridonës së ndjerë.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën Liridonën.

Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes.

Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.