Tchouameni dëshmon në Katar se pse klubet e mëdha luftuan për të

Kylian Mbappe më në fund po e ka shansin për të luajtur së bashku me Aurelien Tchouamenin, me Francën që paraqitet në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Marokut, të mërkurën mbrëma.

Paraqitjet e Tchouamenit në qendër të mesfushës së Francës dhe goli i tij mbresëlënës kundër Anglisë në çerekfinale, kanë treguar pse Real Madridi pagoi 80 milionë euro për transferimin e tij në qershor.

22-vjeçari Tchouameni, i cili e do kulturën amerikane dhe përmend Barack Obaman si frymëzim, u transferua në Real Madrid pavarësisht se Mbappe e thërriste dhe e joshte t’i bashkohej te Paris Saint-Germaini.

Gjashtë muaj më parë nuk ishte e qartë se Tchouameni do të ishte titullar për Francën në përpjekjen e saj për t’u bërë skuadra e parë në 60 vjet që mbrojti me sukses titullin e Kupës së Botës. Lëndimet e Paul Pogbas dhe N’Golo Kantes, lojtarëve më të spikatur të mesfushës nga katër vjet më parë, hapën rrugën për një çift të ri në Katar – Tchouameni dhe Adrien Rabiot. Në vitin 2018, Rabiot e kishte dëbuar veten nga skuadra e Francës dhe Tchouameni ishte një 18-vjeçar që luante te Bordeauxi dhe po vlerësohej si talent i mundshëm. Ai krahasohej me disa yje tashmë të stabilizuar.

Tchouameni ka elegancën e lartë të Pogbas dhe, siç tregoi në fitoren 2:1 të Francës ndaj Anglisë, fuqinë për të gjuajtur nga distanca. Ai zbuloi në vitin 2018 se fitoi nofkën “TchouaNgolo” pasi tregoi aftësitë e rikuperimit të topit që përputhen me Kanten.

Dy sezone në ekipin e parë në Bordeaux, së bashku me mikun e tij të mirë dhe tani bashkëlojtarin te Franca, Jules Kounde, i mundësuan Tchouamenit që në vitin 2020 të transferohej te Monaco, ekip ku Mbappe u zhvillua si adoleshent. Këtë vit, Tchouameni kishte luksin e zgjedhjes së klubeve më të mira evropiane. Ai hodhi poshtë ofertën e finalistit të Ligës së Kampionëve, Liverpoolit dhe zgjodhi skuadrën e Real Madridit që e fitoi atë trofe. Tani po mëson nga bashkëlojtarët e Real Madridit, Luka Modriq dhe fituesi i Kupës së Botës 2014, Toni Kroos, i cili mban fanellën me numrin 8, që Tchouameni e ka te Përfaqësuesja e Francës. Arsimimi është i rëndësishëm për të riun francez i cili tha se ishte tërhequr në moshë të re nga kultura amerikane duke ndjekur NBA-në.

“Menjëherë u lidha me Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet sportistëve të mëdhenj, muzikantëve të mëdhenj apo figurave historike të këtij vendi të madh si Martin Luther King, Barack Obama”, tha Tchouameni në një intervistë të publikuar nga klubi i tij i atëhershëm, Monaco.

Ai tha se filloi të mësonte anglisht për të kuptuar më mirë muzikën që po dëgjonte. Pasi e mbajti të qetë fenomenin anglez, Jude Bellinghamin për pjesën më të madhe të ndeshjes çerekfinale kundër Anglisë, Tchouameni është vetëm një fitore larg arritjes në finale në turneun e tij të parë të madh. Në rast se Tchoumeni kalon në finale të Botërorit të Katarit, atëherë në këtë ndeshje të madhe do të ketë punë me një ikonë që bartë numrin 10 për vendin e tij – kapitenin e Argjentinës, Lionel Messin ose kapitenin e Kroacisë, Luka Modriqin.