Taulant Xhaka, ka vendosur që t’i “var këpucët”.
Legjenda e gjallë e FC Basel do ta mbyllë karrierën e tij pas përfundimit të këtij sezoni.
Pas 406 ndeshjesh dhe mbi dhjetë vjet me FC Basel, 33-vjeçari po tërhiqet nga futbolli duke u pensionuar.
Për vendimin, ai njoftoi me anë të një videoje.
“FCB dhe qyteti për mua do të thotë gjithçka si një baseljan. Kam lindur dhe u rrita këtu. Të luash një herë për këtë ekip ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua”.
“Për vëllain e kapitenit të Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ky është momenti perfekt për të dhënë dorëheqjen: “Numri im ka qenë gjithmonë 34 dhe në mars do të bëj 34 vjeç. Më duket e drejtë, sepse klubi është në një formë shumë të mirë dhe jemi në rrugën e suksesit”, theksoi ai.
Për të ka qenë gjithmonë e rëndësishme të mund të vendoste vetë kur të tërhiqej nga futbolli.
Kështu, ai i kërkoi klubit të ndërpresë kontratën që ishte e vlefshme deri në vitin 2027, dhe ta mbyllte atë që në verën e këtij viti.