Të premten do të jetë ndeshje vendimtare për Zvicrën në Botërorin në Katar dhe pikërisht kundër Serbisë. Granit Xhaka 30-vjeçar po sillet me qetësi, por për të është një ndeshje emocionale: Babai i tij ishte dikur në burg. Taulant Xhaka flet për Blick
Ishte një mbrëmje për histori: Në Botërorin 2018 në Rusi, Zvicra e mposhti Serbinë 2:1. Për dy golashënuesit Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, dy yjet tanë me rrënjë shqiptare, shpërtheu çdo gjë. Të dy festojnë me shqiponjë dykrerëshe.
Tash, pas katër vjetëve, vjen te një ndeshje tjetër vendimtare për kualifikim në 1/8 e finales në Botëror.
Në Katar sërish përballë do ta jetë Serbia. Dhe duhet të shkojë qetë kjo ndeshje. Vëllai i Granitit, Taulant Xhaka (31) thotë për “Blick”: “Sinqerisht, nuk iu gëzova fare shortit, për shkak të gjitha emocioneve, për shkak të gjithë së kaluarës me Granitin. Por: Kam folur gjatë me Granitin për këtë, shumë gjatë. I kam thënë atij: ‘Pavarësisht se çfarë ndodh në këtë ndeshje, nëse shënon gol, humb apo fiton – mbaje gjakftohtësinë dhe luaje lojën tënde. Pasi nuk bëhet fjalë për politikë, është vetëm një ndeshje futbolli”.
E kaluara e babait
Për t’i kuptuar Xhakat, duhet të dihet historia e babait Ragipit.
“Jam burgosur dhe maltretuar”, kishte treguar ai në mars të vitit 2022, para ndeshjes së Zvicrës kundër Kosovës, që përfundoi 1:1. Me shumë gëzim, ai po planifikonte të udhëtonte në Katar për Botëror. Pak ditë më vonë Zvicrës i ra në short Serbia – familja Xhaka vendosi të qëndronte në shtëpi.
Ragipi është lindur në Prishtinë në vitin 1963. Ai luajti futboll para se të mbyllte karrierën në moshën 17-vjeçare pasi theu këmbën. Stili i tij ishte i ngjashëm me të Taulantit.
Si 23-vjeçar, kur ishte student, kishte protestuar për një jetë më të mirë.
“Ishte një demonstratë paqësore, në të cilën nga fillimi jemi goditur nga policët. Ata na rrihnin edhe kur ishim shtrirë përtokë”, tregoi Ragipi.
Arrestimi në mëngjes
Ishte 5 i mëngjesit, kur policët u futën në shtëpinë e prindërve të tij.
Nëna e tij pyeti se çfarë po kërkojnë, ndërsa ata i thanë: “Duam birin tënd”.
Ata u futën në dhomë.
“Ishte shoku i jetës sime. Më dhanë një sekond kohë, që të veshi një pantallona dhe një xhemper. Më pas më vendosën prangat, e më dërguan në burg”, tregoi Ragipi.
Arsyeja: rebelim kundër shtetit. Ai ishte futur në një qeli 4 me 2, me 4 burra tjerë. Në të kishte vetëm një tualet.
Çdo të dytën ditë e merrnin.
“Për të më detyruar të rrëfeja. Më torturonin çdo dy ditë dhe kjo zgjati gjashtë muaj. Më godisnin në pëllëmba të duarve, në shputa, në këmbë, në krahë, në pjesën e sipërme të trupit. Më godisnin me shkopa të policisë”, tregon Ragipi.
Ai qëndroi i fortë, nuk pranoi asgjë.
Dënimi me tri vjet burgim
U dënua me tri vjet burgim. Por dikur u përfshi Amnesty International për të – dhe pati sukses. Një moment e lanë para dyerve të burgut dhe i thanë se është i lirë – ai u kthye te të afërmit e tij në Prishtinë.
“Të gjithë qanin. Edhe gruaja ime, e cila më priti për tri vjet e gjysmë, më në fund arriti të më përqafonte”, tregon Ragipi.
Ragipi planifikoi ikjen, nga frika se mund të arrestohet sërish.
Ai donte të shkonte në Amsterdam – por, përfundoi në stacion të trenit në Zuerich. Shoqëria e gruas së tij jetonte në Rothrist im Aargau.
“Ata na thanë se para rrugëtimit të gjatë të qëndronin dy-tri ditë te ta, për të pushuar. Kur shkuam te ta, më pushtoi një ndjenjë e sigurisë. E dija, se më nuk dua të largohem nga këtu”, tregoi Ragipi.
Autoritetet u dhanë atyre statusin e refugjatëve. Ragip Xhaka nisi të punonte menjëherë, si kamerier, e më pas në ndërtimtari, e në fund si kopshtar.
“Më në fund mund të bëja diçka, që i afrohej studimeve të mia në agronomi. E mora leje qëndrimin. Ishte ndjenjë e madhe”, rrëfen Ragipi.
Djemtë e tij Taulanti (1991) dhe Graniti (1992) u lindën në Zvicër.
Graniti gjatë një interviste për “Blick” nga Londra para disa javëve, tha: “Ajo që përjetoi babai im, nuk mund t’i urosh askujt. E di edhe sot vetëm gjysmën e përjetimeve të rënda që ka pasur ai. Kur mbusha 20 vjet, doja të dija detaje. Kam pyetur e pyetur derisa babai im u largua pasi nuk mund të rrëfente më. Sot e di, se janë gjëra që do t’i harrojë. Se për të ishte kohë e rëndë”.
Ragipi tha: “Këtu ka të drejtë. Vetëm gruaja ime dhe babai im i dinë të gjitha. Djemtë e mi nuk kanë pse të dinë gjitha detajet”.
Nuk ka problem me lojtarët e Serbisë
Granit Xhaka komunikon në mënyrë sovrane para ndeshjes. Dhe prapë kjo ndeshje është e ngarkuar sërish me emocione. Taulanti është pikërisht në mes me Shqipërinë, kur pati trazira dhe një braktisje të lojës eliminatore për Euro 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë që u luajt në Beograd.
“Ishte e vështirë atëherë. As unë nuk e kisha imagjinuar ashtu. Natyrisht se e dija që do të jetë lojë e nxehtë. Por, që do të dilte ashtu nga kontrolli nuk e imagjinoja. Por, ky ishte viti 2014, është e kaluar. Duhet të shohim para”, thotë Taulanti.
Kundërshtari i Zvicrës tash është Serbia.
Taulanti thotë: “Me lojtarët serbë nuk kam problem. Por, pyetja është se si motivohen ata. Mund të imagjinoj mirë që mediat serbe do të tentojnë t’i ndezin gjërat sërish. Do të tentohet të provokohet Graniti e Xherdani. Por, ata duhet të jenë të përgatitur për këtë dhe të qëndrojnë të qetë”. /Blick/