Qeveria e udhëhequr nga talebanët, ka zgjeruar kabinetin fillestar, duke prezantuar një listë me zëvëndësministra burra, pavarësisht kritikave ndërkombëtare se veprimet e grupit islamist të linjës së ashpër, nuk kanë përmbushur zotimet për përfshirje të grave në pushtet.
Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, e ka prezantuar të martën listën e zëvëndësministrave, duke thënë se aty përfshihen edhe minoritete etnike.
Ai ka thënë se gratë mund të shtohen në të ardhmen, mirëpo kjo deklaratë nuk ka ulur shqetësimet në rritje ndaj Qeverisë së instaluar nga talebanët, dhe kthimit të regjimit të ashpër sikurse në periudhën 1996-2001, sa kanë qenë ata në pushtet.
Talebanët kanë tentuar ta luftojnë atë imazh me premtime për politika më të moderuara sa u përket të drejtave të grave, mirëpo formimi i një qeverie me burra dhe veteranë, nuk ka qenë në linjë me zotimin.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se do ta gjykojë grupin nga veprimet e tij, dhe se njohja e Qeverisë së udhëhequr nga talebanët, do të jetë e lidhur me çështje tjera, përfshirë trajtimin e grave dhe minoriteteve.
Sipas Mujahidit, nuk ka arsye për vonim të njohjes.
“Është përgjegjësi e Kombeve të Bashkuara për ta njohur Qeverinë tonë dhe përgjegjësi e shteteve tjera, përfshirë shteteve evropiane, aziatike dhe islamike, që ato të kenë marrëdhënie diplomatike me ne”, ka thënë ai.
Kabineti i talebanëve ua ka pamundësuar grave që të kthehen në shkolla të mesme.
Mujahid ka thënë se ky është vendim i përkohshëm dhe se ata janë “duke finalizuar gjërat”.
“Shpejt do të njoftohet se ata mund të shkojnë në shkollë”, ka thënë mes tjerash ai./REL