U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka. Në këtë takim u diskutua lidhur me përgatitjet e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas rrethanave të krijuara nga njoftimi për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
U.d. Presidentja Osmani diskutoi me Daken lidhur me takimet preliminare të zhvilluara me subjektet politike, dhe e njoftoi se ajo do ta caktojë datën e zgjedhjeve menjëherë sapo Aktgjykimi i Kushtetueses të hyjë në fuqi, pas dorëzimit tek palët.
U.d. Presidentja potencoi rëndësinë e veprimeve të shpejta për procesin e votimit për qytetarët e vendit të cilët jetojnë në mërgatë. Sipas u.d. Presidentes Osmani, bashkatdhetarëve tanë duhet t`u ofrohet sa më shpejtë mundësia për t`u regjistruar për votim, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme që votat e tyre të arrijnë në KQZ sipas afatit të paraparë.