Takimi i presidentes me partitë politike, 4 datat kur mund të mbahen zgjedhjet

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në vend do të mbahen mes fundit të janarit dhe mesit të shkurtit 2025. Kështu ka thënë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Cakolli ka thënë se datat për të cilat presidentja mund të diskutojë me partitë politike, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti.

“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për t’a caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, ka thënë ai.

Zgjedhjet para janarit, ai ka shtuar se mund të jenë vetëm të parakohshme.

“Zgjedhjet, më herët se në janar, mund të jenë veç të parakohshme – pas shpërndarjes së Kuvendit (me 2/3 e votave) apo rënies së qeverisë (përmes mocioneve apo dorëheqjes së KM)”.

Vlen të theksohet se presidentja Vjosa Osmani ka ftuar partitë politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve, një takim ky që pritet të mbahet të mërkurën.

PDK dhe LDK tashmë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takim.