Takimi i liderëve nuk është caktuar, bëhet thirrje të mbahet sa më parë

Kryeministri Avdullah Hoti ende nuk ka vendosur se kur do të provojë t`i ulë në një tavolinë subjektet politike në vend.

Një takim të tillë Hoti e ka paralajmëruar javën e kaluar, siç ka thënë ai, për të diskutuar pas zhvillimeve nga konfirmimi i aktakuzave të Speciales.

Sipas kreut të Qeverisë, partitë duhet të dakordohen për zgjedhjen e presidentit apo zgjedhjet e reja.

Antigona Baxhaku, drejtoreshë e Zyrës për komunikim me publikun, përmes një përgjigjeje të shkurtër me email ka thënë se “ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për një takim të tillë”.

Por Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se takimi mes partive politike duhet të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Nuk e kemi lluksin me prit në pafundësi, me prit deri më prill kur zyrtarisht përfundon mandati tash i ushtrueses së detyrës së presidentes. Konsideroj që partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë shumë shpejt e qartë se cilat hapa duhet t`i ndërmarrin”, ka deklaruar Spahija.

Ndonëse i mirëpresin diskutimet rreth presidentit e zgjedhjeve të reja, sipas deputetit të AAK-së, Gazmend Syla, më me prioritet duhet të jetë situata me pandeminë.

“AAK-ja e të gjithë anëtarët e saj nuk e kanë pritur mirë ndjekjen speciale që po u bëhet luftëtarëve të lirisë. Ashtu siç e dini, AAK-ja ka qenë kundër themelimit të kësaj trupe dhe qysh atëherë e ka parashikuar një maskaradë të tillë. Aleanca është e hapur për çfarëdo zgjidhjeje dhe sot po qe nevoja për të dialoguar do të marrë pjesë. Situata është e rëndë dhe prioritet aktualisht duhet t’u jepet qytetarëve të vendit. Duke marrë parasysh shifrat e mëdha të të infektuarve me COVID-19, zgjedhjet apo zgjedhja e presidentit mund të presë edhe pak”, tha Syla.

Takimet mes partive politike i sheh ndryshe Vetëvendosje, që diskutimet eventuale për postin e presidentit i konsideron pazare.

“Çdo diskutim për një president apo presidente në këtë konstelacion politik vetëm se e tregon se edhe një herë po tentohet që të bëhen pazare në favor të personave të caktuar apo grupeve të ngushta të interesit, gjegjësisht partive politike, gjë që nuk do të ishte e mirë për vendin, sidomos në këto kohë në të cilat jemi”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci për Interaktivin e KTV-së.

Lidhur me këto çështje KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga partitë e tjera. Por zyrtarët e PDK-së e të Nismës kanë qenë të paqasshëm gjatë të mërkurës.