“Takim historik” Skënder Hyseni takohet me Dardan Molliqajn, flasin për dialogun

Në Kosovë jo krejt partitë të cilat janë pjesë e kuvendit pajtohen me dialogun Kosovë – Serbi, nën Qeverinë Hoti me koordinator Skënder Hysenin.

Madje, ka parti parlamentare që as nuk pranojnë të takohen për t’u dakorduar në lidhje me këtë temë.

Megjithatë, Hyseni që probleme me takime po ka edhe në ShBA, është takuar me kreun e PSD-së, Dardan Molliqajn, parti që as nuk është brenda Kuvendit të Kosovës.

Për këtë takim ka lajmëruar vet PSD, ku thonë që kanë diskutuar në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

“Jemi pajtuar që marrëveshjet e pjesshme nuk janë rruga përpara. Kosova shkon në dialog për njohje reciproke. Vazhdimi i procesit nuk ka kuptim nëse nuk e dimë qysh tash se epilogu është njohja e ndërsjellë.

Ne jemi të bindur se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë nuk mund të marrë formë dhe garancë zbatimi pa përfshirjen e ShBA-ve në këtë proces. Po ashtu, Kosova duhet të ketë kujdes që aranzhimet e saj në marrëveshje të mos e thellojnë ndarjen etnike që tashmë ekziston me Listën Serbe. Kështu nuk zgjidhet, por përjetësohet problemi.

Ne jemi të bindur se vazhdimi i status-quos nuk është në interes të vendit dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Ndërsa, në njoftim PSD thotë që janë pro që dialogu me njohje reciproke të përfundoj sa më shpejtë, shkruan gazeta Infokus.

“Problemet e pa kryera janë probleme edhe për të ardhmen. Për më tepër, aleancat politike, por edhe gjeopolitika e vitit 99’ më nuk ekziston. Qëndrimet karshi dialogut ka kohë që nuk lidhen me procesin si të tillë, por me llogaritë e brendshme politike, respektivisht akuzat plot patos e hiq kritikë për mbledhje votash.

Guxim dhe progres sot përbën gatishmëria për të ecur drejt shkëputjes përfundimtare. Oportunizëm është llogaritja elektorale dhe fshehja pas popullizmit të brendshëm. Vetëm shkëputja përfundimtare hap rrugë për një marrëdhënie të re midis popujve. Kjo shkëputje është historike jo thjesht sepse zgjidhet problemi Kosovë-Serbi. Popujt e Ballkanit do të jenë më të lirë kur problemet midis tyre të zgjidhen. Kështu i jepet fund gjeopolitikës së perandorive që ndërhyjnë në mënyrë jodemokratike pikërisht sepse gjejnë terren tek problemet e hapura”, thuhet në këtë njoftim.