Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në një konferencë për media ka reaguar ndaj qëndrimeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për moszbatimin e vendimit Gjykatës Themelore për pezullimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Tahiri tha se Partia Demokratike e Kosovës e ka marrë me shqetësim jashtëzakonisht të madh këtë vendimin të ZRRE-së për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Themelore.
“Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën që është publikuar dhe në ditën që e kemi marrë edhe ne, edhe ZRRE. Baza ligjore në të cilën ZRRE thirret që ky vendim nuk ka hyrë në fuqi është e paqëndrueshme. Andaj vendimi i Gjykatës Themelore, Departamenti Administrativ është jashtëzakonisht i qartë. Ky vendim ka hyrë në fuqi dhe qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë tarifa të energjisë elektrike me rritje për këtë muaj, përderisa nuk kemi një vendim tjetër të shkallës së dytë, pra të Apelit”, theksoi ai.
Tahiri i ka bërë thirrje ZRRE-së të mos e apelojnë vendimin e Gjykatës, sepse ky është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët rritja e çmimit të energjisë është e papërballueshme.
“Tashmë jemi në një situatë tjetër, ku Republika e Kosovës me prodhimin e energjisë edhe mund t’i mbulojë nevojat e sja për konsum ditor në raport me energjinë elektrike. Tashmë koha ka ndryshuar drastikisht me periudhën në të cilën është rritur çmimi i energjisë elektrike, pra me janarin, shkurtin, marsin, ku kemi pasë vërtetë muaj të ftohtë. Tash në stinën e pranverës konsumi i energjisë elektrike ka rënë jashtëzakonisht shumë.”
Po ashtu, PDK i bën thirrje Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani që të mos insistojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Të gjitha statistikat që dalin në raport me rritjen e çmimeve në Republikën tonë janë shqetësuese. Ky vendim i Gjykatës Themelore për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë deri në 109 për qind është vendim në interes të qytetarëve të Kosovës, një vendim të cilin PDK me juristët e saj e ka argumentuar”, tha ai.
Tahiri tha se në rast të moszbatimit të këtij vendimi, PDK do të angazhohet që të bëj padi penale për Bordin e ZRRE-së.