Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në Interkativ të KTV-së ka treguar se si ka ardhur deri te infektimi i 14 personave me Covid-19 në këtë komunë.
Të hënën është konfirmuar se rastet e reja janë të shpërndara në katër vendbanime të ndryshme. Pesë raste janë në fshatin Ceceli, nga katër në qytetin e Vushtrrisë dhe në Mihaliq si dhe një rast në Bajskë.
“Tani që kemi hapjen e plotë të qytetit të Vushtrrisë dhe kur kemi fluks edhe të mërgimtarëve që uroj që do të vijnë sa më shumë, por esenciale është që në këtë betejë të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për veten dhe familjen. Mendoj se tani secili e di se cilat janë masat dhe është përgjegjësi individuale tani. Në Vushtrri kishim fazën e parë ku e mbyllëm fazën e parë”, ka thënë Tahiri.
Ai thotë se rastet e reja kryesisht kanë ndodhë për shkak të ndejave familjare dhe padijen e personave që kanë virusin.
“Njëri person ka pasur një sëmundje dhe ka qenë prej një familje të madhe dhe që ka vuajtur nga një sëmundje tjetër dhe kanë menduar se është ajo sëmundje dhe jo koronavirusi. Pas testeve që janë bërë në natën Bajramit ai ka rezultuar pozitiv, dhe kjo familje pastaj ka qenë në vetizolim dhe nuk kanë pasur pastaj kontakte. Por, ata që e kanë vizituar deri në natën e Bajramit pa e ditur se ky ka virus pastaj kanë vizituar anëtarët e tjerë të familjes dhe ka ardhur tek shtimi i numrit të të infektuarve brenda kësaj familje dhe pastaj tek miqësia”, ka thënë Tahiri.
Tutje ai ka shtuar se ishte edhe një rast tjetër një punëtor i një dyqani i cili i ka shërbyer një të afërm të këtij personi i cili ka pasur koronavirus.
“Pra, jo që e kanë ditur dhe e kanë bërë me qëllim, por thjeshtë kanë qenë të pafat që nuk e kanë ditur se dikush e ka koronavirusin. Ne jemi shoqëri më tradicionale dhe vizitojmë të afërmit tonë, ne kemi rrezikuar por mendoj se është e menaxhueshme. Lajmi i mirë se të gjithë janë në shtëpi, me përjashtim të dyve, dhe gëzojnë shëndet të mirë dhe shumica janë asimptomatikë. Ne ofrojmë krejt ndihmat e nevojshme dhe nga nesër do të kemi nga një patrullë policie të stacionuar. Ato do të përkujdesen që ata persona të mos dalin. Nuk është se kanë dalë ata që e kanë ditur se janë të infektuar. Apeli jonë është që të shmangin këto vizita. Infeksioni kryesisht ka ndodhur kur ka pasur ndeja më të gjata”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij nuk ka asnjë arsye për panik, të gjitha rastet të këtyre familjeve dihen tani dhe janë në vetizolim.
“Nga rasti i 25 dhe deri në rastin e fundit e dimë se si ka ardhur. Kemi marrë një sërë masash të tjera në mënyrë që të ruajmë stafin mjekësor. Qytetarët nuk mund të hyjnë në spitale pa maskë, kemi vendosur një numër pa pagesë që ata të bëjnë një termin dhe në këtë mënyrë e dimë se kush dhe kur ka shkuar në terminin e saktë”, u shpreh ai.
Ai ka thënë se sot janë bërë mbi 50 teste, një pjesë e këtyre testeve ende nuk janë përpunuar dhe do të dalin nesër.
“Do të bëhen teste aq sa do të jetë e nevojshme. Menjëherë shtabi emergjent bën listën e kontakteve në mënyrë që të testohen. Patëm dy qytetarë që kanë ardhur nga Suedia dhe kanë treguar simptoma dhe i kemi dërguar që të bëjnë testin. Ata kanë ardhur në formë tokësore, por kemi qytetarë të tjerë që po vijnë çdo ditë”, ka thënë Tahiri.
Sipas Tahirit mbyllja e qytetit më nuk është opsion.
“Dy mënyrë janë që të kalojmë këtë pandemi, deri sa të bëhet vaksina, virusi nuk do të zhduket kurrë. Pas tre muajve mbyllje natyrisht se njerëzit i ka marrë malli me e pa njëri-tjetrin. Me përvojën që kemi fituar në këto tre muaj na ka përgatitur me u përballë me rastet e reja. Duhet të shmangim ndejat e gjata dhe familjare për t’u ruajtur nga virusi”, ka thënë Tahiri.