Tahiri: Shantazhi i mbrëmshëm po vazhdon edhe sot, kërkojmë të tërhiqen kandidaturat

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se shantazhi i mbrëmshëm nga qeveria vazhdoi edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

“Kjo mbledhje ishte jashtëzakonisht e çuditshme që shtyhej çdo 30 minuta dhe nuk kishte pikë të qartë të rendit të ditës. Një mbledhje e njëjtë si seanca e mbrëmshme dhe shantazhi ishte i njëjtë si mbrëmë”.

“Kërkojmë nga kjo mazhorancë e papërgjegjshme që të merret me pandeminë, zhvillimin ekonomik. Por, këta më së paku e kanë mendjen tek qeverisja e vendit”.

Tahiri pas kësaj mbledhje tha se në asnjë mënyrë nuk e mbështesin Vjosa Osmanin për presidente dhe kërkoi ndryshimin e kandidaturave për këtë pozitë, njofton Klan Kosova.

“Sot po mundohet që presidenti të zgjidhet në mënyrën më të turpshme, pa iu nënshtruar një konsultimi të gjerë me partitë politike. Kjo mazhorancë po dëshmon çdo ditë se po tenton ta mbysë demokracinë”, tha Tahiri.

“Ne u kërkuam sot që t’i tërheqin këto dy kandidatura, jemi në afatet kushtetuese. Mund ta zgjedhim edhe nesër, pasnesër e javën që vjen. Kemi kërkuar të gjejmë një figurë, të propozojnë një figurë që i jep stabilitet vendit, një figurë që nuk do ishte përçarëse por që përfaqëson unitetin e qytetarëve”.

“Ky vullnet nuk ekziston. Ky vullnet i mazhorancës duket se nuk ekziston prandaj faturën siç duket që do na çoj vendin në zgjedhje e bart pikërisht arroganca e kësaj mazhorance dhe Albin Kurti”, tha Tahiri.

Tutje Tahiri tha se nëse sot shkojmë në zgjedhje, shkojmë si rezultat i një lëvizje të prodhuar nga Albin Kurti.