Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë për mosimplementimin e Ligjit për Paga.
Në një konferencë, ai ka theksuar se kërkesat e tij dhe të subjektit të tij nuk janë personale por se e kanë për detyrë që të kërkojnë llogari për gjëra që jepen si zotime
“Ku është Ligji i Pagave? Ku jeni fshehur me këtë ligj? Ku është procesi i punës për finalizimin e këtij ligji? A ka qenë vetëm sa për t’i mashtruar shërbyesit civil, a është parregullsi e juaja, apo nuk po dini ta bëni këtë ligj?”.
“Ligji i Pagave ka qenë i planifikuar të implementohet në vitin 2021. Gjithashtu ka pas zotim nga Qeveria që ky ligj të hyjë në fuqi në mars të këtij viti. Qeveria duhet të tregoj se pse po e vonon këtë ligj. Ne si AAK e kemi ngritur zërin për këtë temë. Me nismën tonë është miratuar një rezolutë për implementimin sa më të shpejtë të këtij ligji”.
“Në këtë temë, është shumë normale që kryeministri të thotë se nuk kam aftësi ta kryejë këtë temë, përndryshe premtimet për implementimin e këtij ligji janë mashtrim. Qeveria e Kosovës t’i kërkojë falje gjithë shërbyesve civil”, ka thënë Tahiri, njofton Klankosova.tv.
Tahiri ka kërkuar llogari edhe për Ligjin për Pagën Minimale dhe për Trustin.