Shefi i Grupi Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të mbajtur të martën, ka theksuar se si Grup parlamentar do të propozojnë një amendament për Projektligjin për buxhetin e vitit 2023.
Me anë të tij, ka thënë se do të theksojnë nevojën për rritje lineare të pagave në sektorin publik për 30 për qind, duke përjashtuar rritjen pët të emëruarit politikë e deputetët.
Sipas tij me mospërfshirjen në buxhet të Ligjit të pagave, Qeveria e Kosovës, i ka gënjyer të punësuarit në sektorin publik.
“Qeveria e Kosovës i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publikë, 80 mijë persona, 80 mijë familje, duke iu thënë që do të sjellë Ligjin e pagave të cilin nuk e ka sjellë, dhe mbi të gjitha duke mos e vendosur në buxhet vijën e cila do ta fut në zbatim ligjin, dhe njëkohësisht vlerën e koeficientit”, është shprehur Tahiri.
Sipas tij Qeveria e Kosovës i ka mashtruar 80 mijë të punësuarit në sektorin publik.
“E kanë luajtur një lojë shumë të ultë, duke mos e sjell Ligjin e pagave paraprakisht, në mënyrë që të thonë se në Buxhetin e vitit 2023 nuk mund ta fusin buxhetin e Ligjit të pagave për shkak se nuk është miratuar ligji. Ky është një ndër mashtrimet me të mëdha që kjo Qeveri ua bën 80 mijë familjeve”, ka theksuar Tahiri.
Në këtë konferencë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se shpresojnë që Qeveria do t’i mirëkuptojë lidhur me amendamentin për rritje te pagave për 30 për qind në sektorin publik.
Në të kundërtën ka thënë se nuk do ta votojnë Projektbuxhetin e vitit 2023.
Ndërkohë shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, në këtë konferencë ka folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se porositë e Bashkimit Evropian karshi të dyja vendeve, për këtë proces, duhet të jetë të barabarta.
“Për Borrelin dhe Bashkimin Evropian, porosia ime është që të jenë po ashtu të zëshëm edhe me Vuçiqin, i cili drejtpërdrejtë është duke bërë një agresion ndaj vendin tonë përmes strukturave të tij politike, paralele dhe kriminale, dhe kjo qasje disi po e zbeh besimin e diskutimit dhe diskursit. Porositë nuk janë të barabarta. BE-ja porositë nuk do ka të njëjta si për Kosovës ashtu edhe për Serbinë”, ka theksuar Tahiri.