Tahiri: Kosova me pagën më të ultë mesatare në rajon, koeficienti i pagës të bëhet 129 euro

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka vlerësuar se Kosova e ka pagën më të ultë mesatare në rajon dhe sipas tij kjo mund të ndikojë në një ikje masive të punëtorëve.

Sipas tij Për ndryshim të kësaj gjendjeje Qeveria e Kosovës dhe ministri i Financave Hekuran Murati nuk kanë ndërmarr asnjë masë.

Tahiri në një status në Facebook ka shkruar se rajoni, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur të marrin masa të shpejta, për t’u përballur me zhvillimet që po prodhohen nga ikja e punëtorëve.

Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, po diskutohet për rritjen e pagës mesatare në 900 euro deri në prillin e vitit 2024. Lëvizje të ngjashme kanë marrë edhe vendet e tjera të rajonit. Në krahasim me vitin 2015, kur Kosova kishte pagën mesatare 444 euro, Maqedonia e Veriut – 504 euro, Serbia – 537 euro, Mali i Zi – 726 euro dhe Shqipëria 259 euro. Aktualisht, paga mesatare në rajon është: Kosova 504 euro, apo rritje prej 60 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro apo rritje prej 201 euro; Serbia – 763 euro, apo 226 euro, Mali i Zi – 792 euro apo 66 euro dhe Shqipëria – 900 euro, apo 641 euro”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij me urgjencë duhet të shqyrtohet rritja e koeficientit në 129 euro në administratë publike siç ka thënë se kanë propozuar si AAK dhe të merren masa të shpejta për pagën minimale sipas amandamentit të tyre që ka thënë se e kanë propozuar në Komisionin për Buxhet.

“Në rast se ne presim, e që liberalizimi po ndodhë në një periudhë kur vendet evropiane, në veçanti Gjermania, ka rritur kontingjentin nga Ballkani Perëndimor, rrezikojmë që vitet pasuese të jenë goditje e rëndë për ekonominë tonë, në veçanti për punëtorët. Veproni mos flini se shkuam poshtë!”, ka shkruar Tahiri.