Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, e ka parë të padrejtë projektbuxhetin e vitit 2021 për këtë komunë.
Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se “për ta ndrequr sado pas këtë padrejtësi ndaj Vushtrrisë” i ka propozuar pesë amandamente në Komisionin për Buxhet dhe Financa, teksa shton se të gjitha kërkesat i kanë dërguar me kohë “por janë injoruar nga ministritë e linjës”.
Xhaferi ka shkruar se projektet e kërkuara janë jetike për komunën e tij dhe se fton deputetët t’i përkrahin.
Postimi i plotë:
Projekt buxheti i vitit 2021 është i padrejtë për Vushtrrinë
Për tu ndrequr sado pak kjo padrejtësi ndaj qytetit të Vushtrrisë, unë i kam propozuar sot Komisionit për Buxhet dhe Financa 5 amandamente (të gjitha këto kërkesa me kohë i kemi dërguar por janë injoruar nga ministritë e linjës) me projektet si në vijim:
1. Zgjerimi i rrugës magjistrale Nedakovc-Vushtrri
2. Rritja në 1 milion e mjeteve buxhetore për projektin e rregullimit te shtratit të lumit Silnica (sipas Memorandumit të nënshkruar në mes të Komunës dhe MEA)
3. Përfshirja në Ligjin e Buxhetit të projektit të Unazës së poshtme të Vushtrrisë
4. Rregullimi i parkut rekreacional “Taraxha”
5. Ndërtimi i rrugëve në fshatrat e Vushtrrisë: Skoqen, Samadrexhë-Dumnicë, Sllakoc-Kurillovë dhe rrugëve lokale në qytet.
Këto janë projekte jetike për qytetarët e Vushtrrisë, i ftoj deputetët ti përkrahin projektet zhvillimore të qytetarëve të Vushtrrisë, pa dallim partie.
Buxheti i shtetit duhet të jetë i ndarë në mënyrë të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët e qytetet e Kosovës.