Synohet t’i jepet intensitet dialogut


Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur ndihmën e cilitdo shtet mik, në dialogun me Serbinë. Një ditë pas gatishmërisë së presidentit Rexhep Taip Erdoan për angazhimin e Turqisë në bisedimet Kosovë-Serbi, Kurti ka bërë të qartë se ato janë duke u ndërmjetësuar nga BE-ja. E për t’i dhënë intensitet dialogut, të premten në Kosovë do të qëndrojë ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.

Për të dytën herë brenda dy javësh emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të vijë në Kosovë. Kësaj radhe Lajçaku do të shoqërohet nga këshilltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë e Francës.

Të enjten as nga Qeveria e Kosovës e as nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje lidhur me agjendën e vizitës së Lajçakut. Por, vizitën e tij dhe të përfaqësuesve nga Gjermania e Franca e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.

Ai ka folur për gatishmërinë e shprehur të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për angazhim në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë, tash Kosova nuk është aty temë, por është palë, bëhet me ndërmjetësim të Brukselit dhe ndihmohet nga SHBA-ja. Nesër vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë Lajçakun, por natyrisht se ndihma e gjitha shteteve mike është e mirëseardhur”, ka deklaruar Kurti.

Për dialogun presidenti turk foli gjatë qëndrimit të tij në Serbi.

Mosvizita e Erdoganit edhe në Kosovë, sipas kreut të Ekzekutivit, lidhet me situatën në Bosnjë.

“Përshtypja ime është se kjo vizitë kishte më tepër të bënte me Bosnjën, sepse e konsiderojnë vend shumë më të rrezikuar se Kosova, andaj edhe vizita ishte në Serbi dhe Kroaci. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë”, ka thënë ai.

E me vizitën e presidentit të Turqisë është krenuar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, derisa ka thumbuar edhe kryeministrin Albin Kurti.

“Nuk ka dyshim se për dhjetë ditët e fundit Kurti ka mundur vetëm të shikojë me zili se si Beogradi ishte qendra e nismës ‘Open Balkan’, se si mijëra serbë në veri të Kosovës e pritën me krenari dhe entuziazëm kryeministren e tyre Ana Bërnabiq, dhe në fund detajet e vizitës madhështore të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Beograd, pas së cilës iu premtua dorëzimi i dronit ‘Bayraktar’ dhe të cilin Kurti mund ta shohë vetëm në video dhe foto”, ka thënë Petkoviqi.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të shtunën. Ky organ do të takohet menjëherë pas takimit të kreut të Serbisë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, dhe me të dërguarit specialë të Berlinit dhe Parisit.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Kosovë ishte edhe në fund të gushtit.

Lajçaku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Garbriel Escobar, u angazhuan në gjetjen e një zgjidhjeje për shmangien e tensioneve në veri të vendit, në prag të hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa dhe letërnjoftime.