Ushtria dhe forcat zjarrfikëse nga Kosova kanë mbërritur mbrëmë në Kukës, për të asistuar në shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë sipërfaqe të madhe toke mbi tunelin e Kalimashit.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, mbërriti atje së bashku me trupat e forcave zjarrfikëse për të vijuar punën për të vënë nën kontroll situatën.
Ndër të tjera ai ka bërë me dije se pritet që sot të mbërrijnë dhe forca të tjera zjarrfikëse nga Kosova.
“Situata në Kosovë është qetësuar dhe tashmë kemi mundësi që të ndihmojmë vëllezërit tanë, jo vetëm në Kukës, por kudo që janë. Ne kemi mobilizuar 34 zjarrfikës, po presim që të na bashkëngjiten dhe trupa të FSK-së së Kosovës. Nesër presim që të na bashkohen dhe forca të tjera. Do të pritet që të zbardhë dita për të bërë të mundur dhe neutralizimin e flakëve. Trupa tonë do të rrinë sa të jetë e nevojshme dhe ne të kemi kapacitet dhe të ndihmojmë,”, tha ai mbrëmë para mediave, raporton Abcnews, transmeton Gazeta Stop.
Ndërkohë nga ana tjetër, drejtori i Departamentit të Zjarrfikësve në Kosovë, Hasan Kodra, në fjalën e tij, ka bërë me dije se janë 33 zjarrfikës, 9 mjete zjarrfikëse për terren malor dhe pajisje me furnizuese, autocisterna që janë në gatishmëri për neutralizimin e flakëve në Kalimash.