Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet i cilësojnë si sulme terroriste incidentet e shënuara një ditë më parë në veri të Kosovës.
Ai tha se Policia ka vlerësuar se ato përbëjnë “sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje e veprave terroriste, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie dhe mbajtje dhe posedim i armëve”.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Sveçla tha se në bazë të dhënave të para të mbledhura nga terreni, “qoftë nga policia, qoftë nga inteligjenca, një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish-Policisë së Kosovës”.
“Sipas informatave që kemi, disa prej tyre janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nuk po them të gjithë, por disa janë nga zyrtarët që kanë dhënë dorëheqje kohëve të fundit”, tha Sveçla.
Pjesëtarët e komunitetit serb, që ishin pjesë e Policisë së Kosovës, u tërhoqën nga institucionet në veri në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Më 6 dhjetor, autoritetet thanë se zyrtarët komunalë zgjedhorë u ndaluan që të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Ata ishin nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Policia tha se grupe dhe persona të maskuar, duke përdorur “mjete të rrezikshme dhe granata dore, përfshirë të prodhimit jugosllav”, dëmtuan zyrat e Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, por nuk raportuan për të plagosur.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë dënuar incidentet dhe kanë thënë se pas tyre qëndrojnë “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.