Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të hënën, se informacionet e para tregojnë që 11-vjeçarja e dhunuar përgjatë muajve qershor dhe gusht të këtij viti, është dhunuar shumë më gjatë – për më shumë se një vit.
Sveçla ka thënë në konferencën e mbajtur të hënën, se ka kërkuar nga kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës që të gjithë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast, të thirren në cilësinë e dëshmitarëve për të kuptuar mbi atë se çfarë ka ndodhur.
Ai ka thënë se institucionet përgjegjëse kanë dështuar për të mbrojtur viktimën, ndërsa është shprehur i bindur se të gjitha dështimet do të identifikohen dhe përgjegjësit do të penalizohen.
“Indikacionet e para apo informatat janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës i kam bërë drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë të përfshirit në këtë rast të thirren në cilësinë e dëshmitarit në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohen drejtë mbi atë se çfarë ka ndodhë, se çfarë institucionet kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin dhe po ashtu sa më shpejt të jetë e mundur të dalin me të gjeturat e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë. Në këtë rast janë përfshirë qoftë Prokuroria, qoftë Qendrat për Punë Sociale, qoftë Policia, por edhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur e më pas për të identifikuar atë se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikimin e dhunuesve që fatkeqësisht nuk janë arrestuar të gjithë”, ka thënë ai.
Më 27 gusht, pesë persona, prej tyre dy të moshës madhore, dyshohet se e kanë dhunuar seksualisht një 11-vjeçare për 7 orë rresht.
Rasti nxiti reagime të mëdha. Më vonë u zbulua, se ajo ishte dhunuar e trafikuar edhe gjatë muajit qershor të këtij viti.
Dhe tash, sipas ministrit Sveçla, ka informata se ajo është dhunuar tash e një vit.