Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ndaj personit të arrestuar sot në Graçanicë, ka patur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.
“Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë”, ka shkruar Sveçla në Facebookun e tij.
Ai ka treguar se gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit.
Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin.
“Pjesëmarrësit në krimet makabre gjatë luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës”, ka shkruar Sveçla.
“Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, ka theksuar ai.