Sveçla: Aksionet në veri s’janë kundër serbëve, zyrtarisht 578 policë serbë kanë dhënë dorëheqje


Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se asnjë aksion i Policisë nuk ka qenë i drejtuar ndaj serbëve.

Sveçla në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin Albin Kurti tha se deri më tani zyrtarisht 578 policë serb kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.

Tutje ai, tha se këto dorëheqje po vijnë si pasojë e shantazheve dhe prej faktit që këtyre policëve po u rrezikohet jeta nëse nuk pranojnë të japin dorëheqje.

“Sa i përket situatës së fundit në pjesën veriore të vendit. Është evidente që pjesë e këtij orkestrimi nuk janë serbët lokal por grupe të caktuara dhe të organizuara në koordinim me Vuçiqin. Veprimet e Listës Serbe erdhën pas bisedimeve me Vuçiqin”.

“Kjo ka për qëllim të destabilizojë situatën në vend. Zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga policia e rendit publik, 107 nga polica kufitare dhe 10 nga hetimet. Këto dorëheqje po vijnë nga shantazhet po rrezikohet edhe jeta e vetë këtyre zyrtarëve policorë në rast se nuk japin dorëheqje|. 

Sveçla tha se për një vit në komunat veriore janë realizuar 38 operacione policore. Ai theksoi se në këto aksione ka pasur edhe rezistencë të armatosur të grupeve kriminale.

“Asnjë aksion i policisë nuk ka qenë i drejtuar asnjëherë në etni të caktuara, veçanërisht jo ndaj etnisë serbe siç është propaganduar”.

“Pra, e vetmja etni të cilën po e luftojmë është ajo e krimit dhe korrupsionit. Krimi në katër komunat në veri ka qenë I zhvilluar e mirëmbajtur ndër vite. Krimin e kemi luftuar edhe në ato pjesë i kemi realizuar 38 operacione për një vit, janë shkatërruar pesë laboratorë të substancave, pajisje me vlerë 300 mijë euro, laboratorë të kriptovalutave”, tha ai, raporton EO.

“Kemi mbyllur 11 rrugë që kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin me qenie njerëzore. Në ato aksione natyrisht se kemi hasur edhe në rezidencë të grupeve kriminale, me armë dhe granata, duke pasur qëllim edhe eliminimin e policëve”.