Gjyqtari i futbollit Qendrim Vata është suspenduar nga Komisioni i Gjyqtarëve, për shkak të një postimi në rrjetet sociale, në të cilin ka fyer kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Lajmin është bërë i ditur nga Federata e Futbollit të Kosovës në faqen zyrtare. Vata, refer i rangjeve më të ulëta, ka krahasuar Kurtin me diktatorin Koresë së Veriut, Kim Jong-Un. Ai ka bërë një fotomontazh, duke kombinuar fytyrën e Kurtit me flokët dhe veshjen e Kim Jong Unit.

Më pas, Vata, po në Facebook reagoi, duke thënë se dikush ia ka thyer fjalëkalimin dhe se ai nuk qëndron prapa kësaj.
Pavarësisht arsyetimit të tij, ai nuk i shpëtoi dënimit nga Federata.
“Komisioni i Gjyqtarëve në bazë të kodeksit të mirësjelljes për të gjithë anëtarët e FFK-së, e ku janë të përfshirë edhe gjyqtarët, ka vendosur masën e pezullimit për gjyqtarin Qendrim Vata, për shkak të deklaratës së tij në rrjetet sociale, duke bërë ofendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Njëherësh Komisioni i Gjyqtarëve lëndën e këtij rasti e delegon tek Komisioni Disiplinor i FFK-së, ku do të kërkohet edhe deklaratat e të lartpërmendurit. Komisioni i Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që të mos shprehin qëndrime politike, e aq më pak të shprehën në forma të tilla ofenduese për cilindo politikan apo institucion. Sporti është vetëm sport”, është thënë në arsyetimin e Komisionit të Gjyqtarëve.