Gjykata Supreme për një ankesë ka nxjerrë vendim dje, ndërsa po shqyrton edhe dy të tjera. Dje ia rrëzoi ankesën kandidatit të PDK’së për deputet, Petrit Hajdari, derisa ka kohë deri nesër të vendosë për një ankesë të VV’së dhe një të koalicionit PDAK- LPB. Nëse Supremja i rrëzon edhe këto dy ankesa, KQZ’së i hapet rruga t’i shpallë rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën para më shumë se 6 javësh. Në të kundërtën, një gjë e tillë do të vonohet edhe më tej.
Saga e zgjedhjeve parlamentare ende s’ka përfunduar, ndonëse kanë kaluar më shumë se 6 javë që nga mbajtja e tyre. Asnjëherë nuk ka ndodhur të ketë kaq shumë vonesa.
Aktualisht KQZ është në pritje të Gjykatës Supreme pasi ky institucion ka pranuar disa ankesa në lidhje me vendimet e PZAP’së pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Dje Supremja vendosi ta rrëzojë si të pabazuar një ankesë të kandidatit të PDK’së për deputet, Petrit Hajdari. Nën llupë tani kanë edhe dy ankesa tjera – një të VV’së dhe një të koalicionit PDAK-LpB.
Zëdhënësja e Supremes, Antigona Uka- Lutfiu, ka thënë për Gazetën Express se për këto ankesa do të vendoset brenda afatit 5 ditor, që i bie deri nesër.
“Ju njoftojmë se dy ankesa, të pranuara më datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-së, A.nr.641/2025 dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-së, A.nr.639/2025, do të vendoset brenda afatit ligjor prej 5 ditësh, i cili llogaritet nga data e pranimit të ankesës, duke përfshirë fundjavën. Posa të vendoset për dy ankesat e fundit, të njëjtat do të publikohen në web-faqe dhe do t’ju njoftojmë sërish.”
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë javën e kaluar se nëse Supremja i mbështet vendimet e PZAP’së, rezultatet do të mund të certifikohen në mes të kësaj jave.
“Duke ndjekur dinamikën e deritanishme, nëse paraqiten ankesa në Supreme – me supozimin se as ajo nuk do të dalë përtej argumentimit të PZAP-së – rezultatet do të mund të certifikohen më së largu në mes të javës së ardhshme”, ka shkruar ai më 19 mars.
Të shtunën e 15 marsit u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas rezultateve përfundimtare LVV me Albin Kurtin ka marrë 396 mijë e 387 vota apo 42.30 %, PDK me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën ka marrë 196 mijë e 474 vota apo 20.95 %, LDK me Lumir Abdixhikun ka marrë gjithsejtë 171 mijë e 357 vota apo 18.27 %, AAK-NISMA ka marrë 66 mijë e 256 vota apo 7.06 % dhe Lista Serbe ka marrë 39 mijë e 915 vota apo 4.26 %. /GazetaExpress/