Xhiro e katërt në Albi Mall Superligën e Kosovës ka nisur ditën e shtunë, me dy ndeshje që janë zhvilluar.
Drenica ka arritur të marrë fitoren e parë këtë sezon pasi ka mposhtur Malishevën në udhëtim 1-2, derisa Gjilani ka fituar me rikthim ndaj Trepçës ’89 3-1.
Sot në program janë edhe tri ndeshje për tu zhvilluar, dy nga ora 17:00 dhe një tjetër me fillim nga ora 20:00.
Vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Podujevë, ku takohen dy rivalët rajonal Llapi e Prishtina në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’.
Si vendasit ashtu edhe mysafirët kërkojnë tri pikët për të mbetur në pjesën e epërme të tabelës.
Interesant pritet të jetë edhe ndeshja në Ferizaj mes Ferizajt dhe Dritës.
Vendasit ende nuk kanë shënuar fitore këtë edicion, derisa Drita kërkon tri pikët e radhës.
Ndërkohë me fillim nga ora 20:00, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ zhvillohet dueli mes Ballkanit dhe Dukagjinit të Klinës.
Kampioni në fuqi do ta luaj ndeshjen e dytë këtë edicion dhe shpreson në tri pikë të reja, derisa klinasit kërkojnë të shkaktojnë befasi.