Dy shok-bomba janë gjuajtur në orët e vona të së premtes në stacionin policor të Mitrovicës së Veriut, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, megjithatë, situata është e qetë, derisa kanë konfirmuar se në Leposaviq janë një numër i vogël protestuesish.
“Dy shok-bomba janë gjuajtur mbrëmë në stacionin policor në Mitrovicë të Veriut. Situata për momentin është stabile, ndërsa në Leposaviq janë një numër i vogël protestuesve”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Veton Elshani.
Sulme me shok-bomba e gurë ka pasur ditëve të fundit nëpër stacionet policore të komunave veriore.
Tensionet në veri kanë nisur që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë ia mësyn objekteve komunale të katërt komunave veriore.
Gjatë këtyre ditëve ka pasur tensione të shumta. Janë lënduar pjesëtarë të KFOR-it, të Policisë së Kosovës e ekipe të mediave.
Ndërkombëtarët e kanë fajësuar Qeverinë e Kosovës për këto veprime, ndërsa kanë bërë thirrje që kryeministri Albin Kurti të ndërmerr hapa për shtensionim të situatës.