Kryeministri Albin Kurti, në konferencën e thirrur për media, tha se sulmi terrorist i 29 nëntorit në Zubin Potok, kishe synim shkaktimin e dëmeve të pariparueshme në infrastrukturën kritike të Kosovës.
I pari i qeverisë thotë se lidhur me këtë sulm, janë marr një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës autorët e sulmit, si dhe për të evituar çrregullimet e furnizimit me shërbimet bazë për qytetarët e Kosovës, njofton Klankosova.tv.
“Përgjatë dy ditëve të fundit kemi ndërmarrë një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit terrorist e kriminal në njërën anë, dhe për të minimizuar dëmin në infrastrukturë, e për të evidentuar e evituar çrregullimin e furnizimit me shërbime bazë për qytetarët e Kosovës në anën tjetër”, tha Kurti.
“Pesha e pasojave të këtij sulmi po të arrinte qëllimin e tij do të ishte marramendës. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën kritike të Kosovës, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare, dhe duke ç’rregulluar jetën e të gjithë qytetarëv etë vendit tonë”.
Tutje, shefi i ekzekutivit tregoi dhe pasojat nëse ky sulm do të realizohej me sukses.
“Po të arrihej qëllimi, ky sulm terrorist do të shkaktonte potencialisht për javë të tëra ndërprerje të energjisë nga Termocentrali Kosova B, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës të Kosovës, dh epa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës. Më tej do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit në Shkabaj, Drenas, Shipol dhe Balincë, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit, e duke rrezikuar furnizimin për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë”, tha Kurti.
“Dhe tjetra, për javë të tjera, potencialisht do të ngeleshim pa energji elektrike, e kësisoj do të rrezikoheshin edhe shërbime të tjera kritike, që varen nga energjia elektrike, sikurse telekomunikimet”.