Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës, çfarë dimë deri tash për luftën më të re në Europë

Vladimir Putin po e bën atë që ka paralajmëruar muajve dhe javëve të fundit Perëndimi. Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes filloi invazionin me trupat ruse dhe hodhi raketa në territorin e vendit fqinj Ukrainës, duke e nisur kështu një luftë të re në Europë, pasojat e së cilës janë të paparashikueshme. Nga Ukraina u raportua se për disa orë luftë, mbetën të vrarë qindra ushtarë. Perëndimi e dënoi ashpër këtë akt agresioni dhe paralajmëroi se Moska do të paguaj shtrenjtë. Me veprimet e diktatorit rus bota po i sheh edhe një herë skenat e tmerrshme – kolonat e refugjatëve që po largohen nga vendet dhe qytetet e tyre nga frika. Si do ta ndalë bota Putinin?

Presidenti rus Vladimir Putin në orët e para të mëngjesit urdhëroi nisjen e operacionit ushtarak në Ukrainë. Raportimet e para të mediave botërore njoftojnë për qindra persona të vrarë. Ndërsa në adresimin e tij Putin tha se Rusia nuk ka qëllim të pushtojë Ukrainën, dhe se përgjegjësia, nëse do të ketë gjakderdhje, i takon “regjimit ukrainas”. Fuqitë botërore kanë dënuar veprimin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kanë kërkuar që Putin ta ndalojë sulmin menjeherë. Krah Rusisë u rreshtua aleati i saj, Bellorusia. Nga Ukraina vijnë pamje të trishtueshme të refugjatëve të parë, shkruan Gazeta Express.

Sulmi, që si cak kishte fillimisht bazat ushtarake, ka lënë pasoja të mëdha në orët e para të mëngjesit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë anipse njoftoi se në shumë qytete të Ukrainës u dëgjuan shpërthim.

Në ato momente presidenti Zelensky, veçse kishte zhvilluar bisedë me presidentin amerikan Joe Biden.

“Të dashur qytetarë ukrainas, sot në mëngjes Presidenti Putin njoftoi një operacion special ushtarak në Donbas. Rusia kreu sulme në infrastrukturën tonë ushtarake dhe rojet tona kufitare. Në shumë qytete të Ukrainës u dëgjuan shpërthime. Ne po vendosim gjendjen ushtarake në të gjithë territorin e vendit tonë. Një minutë më parë pata një bisedë me Presidentin Biden. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë filluar të bashkojnë mbështetjen ndërkombëtare. Sot secili prej jush duhet të ruajë qetësinë. Qëndroni në shtëpi nëse mundeni. Ne jemi duke punuar. Ushtria po punon. I gjithë sektori i mbrojtjes dhe sigurisë është duke funksionuar”, iu drejtua Zelensky qytetarëve.

Shpërthimet e para u dëgjuan në qetësinë para agimit të kryeqytetit ukrainas të Kievit. “The Guardian” shkruan se forcat ruse qëlluan me raketa në disa qytete të Ukrainës dhe zbarkuan trupa në bregun jugor të saj të enjten.

Banorët në qytetet e Ukrainës duket se po ikin pas sulmit ushtarak rus.

Makinat largohen nga qendra e Kievit herët në mëngjes të enjten pasi filloi operacioni ushtarak i Rusisë. Fotografia: Anadolu Agency/Getty Images
Banorët paketuan dhe mbushën një makinë me benzinë në Mariupol, në juglindje të Ukrainës. Fotografia: Carlos Barría/Reuters
Automjetet ushtarake janë parë në një rrugë në periferi të Donetsk. Fotografia: Alexander Ermochenko/Reuters
Njerëzit qëndrojnë në radhë për të përdorur bankomatin në Sievierodonetsk, rajoni Luhansk, në Ukrainën lindore. Fotografia: Vadim Ghirdă/AP
Qytetarët me disa me çanta dhe valixhe, ecin në një stacion metroje në Kiev herët më 24 shkurt, pasi Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një operacion ushtarak në Ukrainë. Fotografia: Daniel Leal/AFP/Getty Images

U publikuan edhe video, ku shihen kolona të gjata të refugjatëve që po largohen nga vendi.

Presidenti amerikan Joe Biden reagoi menjëherë duke thënë se “vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm.

SHBA është zotuar për sanksione dërrmuese ndaj ekonomisë ruse dhe aleatëve të presidentit Putin.

Reagim të ashpër ndaj Rusisë bëri edhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ai bëri thirrje që Rusia të ndalojë menjëherë veprimin ushtarak ndaj Ukrainës. Veprimin e presidentit rus Vladimir Putin e ka quajtur të pamatur, teksa thekson se populli gjerman solidarizohet me popullin e Ukrainës.

Shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike e ka quajtuar NATO, urdhërin e Putinit.

Derisa bota reagonte kundër Rusisë, Ushtria e Ukrainës tha se ka rrëzuar 5 aeroplanë rusë dhe një helikopter.

Por, nuk vonoi shumë dhe erdhi përgjigja ruse pas lajmit se iu rrëzuan 5 aeroplanë dhe një helikopter.

Sipas tyre, “Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se i ka neutralizuar të gjitha bazat ajrore dhe mbrojtjen ajrore të Ukrainës”,

Nivel rekord të ulët ka shënuar Rubla ruse.

Në këtë situatë, Rubla ruse ka rënë me 5.4% në një nivel të ulët rekord të enjten.

Reagim ka bërë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një postimi në Twitter, ajo ka thënë se Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj.

“Kosova qëndron me Ukrainën dhe njerëzit e saj, teksa po përballen me pasojat e një lufte të pa provokuar si rezultat i veprimeve të agresionit nga Rusia”, ka shkruar ajo, raporton Gazeta Express.

“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë që të ndalim çfarëdo destabilizimi në rajonin tonë. Hegjemonia ruse nuk do të ketë sukses. Liria dhe demokracia do të mbizotërojnë”, ka shkruar presidentja Osmani.